Abdixhiku: Sot u shënua rikthimi i LDK-së, jemi në garë me 11 komuna

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, është paraqitur në një konferencë për media pas rezultateve preliminare të Zgjedhjeve Lokale nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Derisa numëroi komunat në të cilat kjo parti, sipas tij, ka dalë e para në garë, ai tha se Lidhja Demokratike prin dhe vazhdon të jetë në garë me plot 11 komuna të Republikës së Kosovës.

Ai tha se me këto rezultate LDK po rikthehet dhe rikthimi i madh i saj është shënuar më 17 tetor.

“I uroj të gjithë kandidatëve në të gjitha komunat për rezultatet e arritura. LDK e sheh këtë natë të 17 tetorit se një natë e rikthimit të madh. Ky rikthim për secilin nga ne është arritje por është edhe përgjegjësi që duhet ta ushtrojmë me kujdes”, tha ai.

“Në Pejë me kryetar Gazmend Muhaxherin, në Lipjan me kryetar Imri Ahmetin, në Fushë Kosovë me kryetae Burim Berishën dhe jemi duke prirë në Gjilan dhe në Podujevë me rikthimin tonë. Në Viti prijmë siç prijmë në Istog, Vushtrri dhe në komunën jugore të Dragashit dhe padyshim jemi në rend të dytë edhe në komunën e Junikut”, ka numëruar më tej Abdixhiku komunat ku LDK deri më tani prin me vota.

“LDK prin ose është në garë me plot 11 komuna të Republikës”, shtoi ai krejt në fund.