Art Jetese

Lidhja në mes të ushqimeve të përpunuara dhe kancerit

Konsumimi i lartë i ushqimeve të përpunuara mund të lidhet me një rrezik të shtuar të kancerit.

Studiuesit nga Shkolla e Shëndetit Publik në Imperial College në Londër kanë prodhuar vlerësimin më gjithëpërfshirës deri më tani të lidhjes midis ushqimeve të përpunuara dhe rrezikut të kancerit. Ushqimet e përpunuara janë pijet me gaz, shumë ushqime të gatshme dhe shumica e drithërave të mëngjesit.

Këto ushqime përmbajnë sasi të madhe të kripës, yndyrë, sheqer dhe përmbajnë aditivë artificialë. Tani është e dokumentuar se ato janë të lidhura me një sërë rezultatesh të këqija shëndetësore, duke përfshirë obezitetin, diabetin e tipit 2 dhe sëmundjet kardiovaskulare.

Një studim zbuloi se konsumi më i lartë i ushqimeve të përpunuara shoqërohej me një rrezik më të madh të zhvillimit të kancerit në përgjithësi, veçanërisht me kancerin e vezoreve dhe të trurit. Ai u shoqërua gjithashtu me një rrezik të shtuar të vdekjes nga kanceri, veçanërisht me kancerin e vezoreve dhe të gjirit.

Dr. Eszter Vamos, autori kryesor i studimit, tha: “Ky studim i shton provave në rritje se ushqimet e përpunuara ka të ngjarë të ndikojnë negativisht në shëndetin tonë, duke përfshirë rrezikun për kancer”.

“Edhe pse studimi ynë nuk mund të vërtetojë shkakun, prova të tjera të disponueshme tregojnë se reduktimi i ushqimeve të përpunuara në dietën tonë mund të sigurojë përfitime të rëndësishme shëndetësore. Nevojiten kërkime të mëtejshme për të konfirmuar këto gjetje dhe për të kuptuar strategjitë më të mira të shëndetit publik për të reduktuar praninë e përhapur dhe dëmet e ushqimeve ultra të përpunuara në dietën tonë”.

Trupi ynë mund të mos reagojë në të njëjtën mënyrë ndaj këtyre përbërësve siç reagon ndaj ushqimeve të freskëta dhe me vlera ushqyese të përpunuara minimalisht.

Megjithatë, ushqimet ultra të përpunuara janë kudo dhe tregtohen shumë me çmim të lirë dhe paketim tërheqës për të nxitur konsumin.

/Shqip.com