Lajme

Lëvizja “Fol”: BQK-ja na ndaloi ta monitoronim procesin e rekrutimit të guvernatorit

Banka Qendrore e Kosovës
Banka Qendrore e Kosovës

Lëvizja “Fol” ka deklaruar se sot, e shtunë 21 janar 2023, i është mohuar prezenca në procesin e intervisitimit të kandidatëve për guvernator të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për shkak se ajo ka refuzuar ta nënshkruajë një deklaratë të konfidencialitetit.

Sipas “Fol” sekretari i panelit intervistues ka kërkuar nga zyrtarja e lëvizjes që ta nënshkruante deklaratën, dhe në momentin që ajo ka refuzuar ta nënshkruajë, asaj i është pamundësuar monitorimi.

“Sot, e shtunë 21 janar 2023, ka filluar intervistimi i kandidatëve për Guvernator të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK). Zyrtarja e Lëvizjes FOL ishte prezente për të monitoruar këtë proces, mirëpo monitorimi iu pamundësua pas refuzimit të saj për të nënshkruar Deklaratën e Konfidencialitetit. Para se zyrtarja e FOL-it të hynte në zyrën ku do të zhvilloheshin intervistat, sekretari i panelit intervistues, ka kërkuar nga ajo që të nënshkruajë Deklaratën e Konfidencialitetit, gjë që do të detyronte organizatën të trajtonte këtë proces në mënyrë top konfidenciale”, thuhet në reagimin e “Fol”.

Sipas lëvizjes, nënshkrimi i deklaratës do ta detyronte “Fol” që vlerësimin e saj për këtë proces ta ndante fillimisht me kryetarin e komisionit dhe të mos publikonte asnjë deklaratë rreth procesit pa lejen e kryesuesit të panelit.

“Ne konsiderojmë që përdorimi i Deklaratave të Konfidencialitetit në proceset e rekrutimit për pozita publike është praktikë që shkatërron transparencën dhe rrjedhimisht besimin në institucione publike. Ne nuk mund të lejojmë që për të ndarë vlerësimet tona për procese të natyrës publike të kërkojmë leje nga institucionet publike. Për më tepër, kushtëzimi i organizatave joqeveritare me nënshkrimin e Deklaratës së Konfidencialitetit nuk ka bazë ligjore dhe përbën shkelje flagrante të të drejtës së organizatave joqeveritare për të monitoruar dhe për të kërkuar llogari nga institucionet që ushtrojnë funksione publike. Lëvizja FOL ka kundërshtuar përdorimin e Deklaratave të Konfidencialitetit në disa procese të rekrutimit dhe do të vazhdojë t’i kundërshtojë ato duke mos i nënshkruar. Guvernatori i ardhshëm i Kosovës do të jetë një person që BQK-ja e ka përzgjedhur në një proces jo transparentë dhe të dyshimtë”, thuhet në reagimin e “Fol”.

/Shqip.com