Lajme

Lekaj: Kurti flet vetë, ‘fmijaçat’ e tij nuk guxojnë ta hapin gojën

Deputeti i  Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po kërkon që ‘rrëmujën që e bëri vetë në veri’ ta pastrojnë të tjerët.

Përmes një shkrimi në Facebook, Lekaj tha se lidhur me situatën në veri po fol vetëm Kurti dhe ‘fmijaçat’  e tij nuk guxojnë ta hapin gojën.

“Kryeministri i Vetëvendosjes po del çdo ditë në TV nga zyrat e tij të ngrohta, ndërkohë që policët e Kosovës, ngrijnë duke shërbyer 24 orë pa pushim në veri. Kryeministri i Vetëvendosjes del çdo ditë, me fytyrën “e shqetësuar” për atë që po ndodh në 18 për qind të territorit të Kosovës, ku qytetarët e tij të nacionalitetit serb janë lënë në mëshirën e krimit të organizuar dhe strukturave të Beogradit. Kryeministri i Vetëvendosjes del çdo të dytën ditë dhe u tregon qytetarëve të Kosovës se po pret KFOR-in që të pastrojë rrëmujën që krijoi ai vetë, duke lënë në hije atë që është më e rëndësishme për Kosovën, mbyllja e një marrëveshje përfundimtare me Serbinë. Kryeministri i Vetëvendosjes del vetë dhe askush nga “fmijaçat” e tij nuk guxojnë të hapin gojën, madje as policia”, shkroi Lekaj.

Lekaj foli edhe për sulmin ndaj gazetarëve që po iu bëhet në veri të Kosovës.

“Gazetarët sulmohen në veri, në territorin e Kosovës, po Kryeministri i Vetëvendosjes nuk i mbron dot, dhe nuk ka as guximin t’u thotë që nuk i mbron dot. Kryeministri sovranist i Vetëvendosjes jep ultimatum nga zyrat e ngrohta të qeverisë dhe nuk ka guxim ta kalojë Ibrin dhe t’u afrohet barrikadave. “Naltmadhnia” që dikur rrëzonte kamionë dhe përgjakej me policinë, nuk ka guxim t’i afrohet kamionëve të barrikadave dhe as të marrë megafonin dhe t’u drejtohet qytetarëve të tij serbë të Republikës së Kosovës.”.

Tutje, Lekaj e quan Kurtin si kryeministri “rebel” i Vetëvendosjes.

/Shqip.com