Lajme

LDK në Prizren s’i bashkohet as VV-së e as PDK-së

Kandidatët për kryetar të Prizrenit, Mytaher Haskuka dhe Shaqir Totaj

Lidhja Demokratike e Kosovës, dega në Prizren, ka vendosur që në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, të mos mbështesë asnjë kandidat për kryetar të kësaj komune.

Në balotazh do të garojnë kryetari aktual i komunës, Mytaher Haskuka nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Shaqir Totaj nga Partia Demokratike e Kosovës.

Kandidat i LDK-së në këto zgjedhje ishte Anton Quni, i cili tashmë nuk është në garë.

“Në takimin që sapo mbajtëm, kryesia e LDK-së në Prizren, vendosi që të mos i bashkohet asnjërit kandidat për kryetar të Prizrenit”, thuhet në njoftimin e LDK-së, dega në Prizren.

“Ne LDK-ja, e kemi mbyllur garën tonë dhe do të fillojmë menjëherë të merremi me veten, të bejmë analizën e thellë të performancës në këto zgjedhje”, thuhet më tej në njoftim.

Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale do të mbahet më 14 nëntor. /Shqip.com