LDK i reagon Bislimit për ikën e mjekëve: Qeveria e Kosovës nuk ka strategji për parandalimin e këtij fenomeni

Lidhja Demokratike e Kosovës ka shprehur shqetësim për ikjen e mjekëve nga Kosova, duke thënë se kjo paraqet rrezik për gjithë sistemin shëndetësor.
Nga LDK-ja kanë treguar se vetëm gjatë muajit shkurt të këtij viti, 45 prej tyre janë larguar nga vendi. Numri i vogël i mjekëve në Kosovë gjithë këtë situatë e bën akoma më të rrezikshme.
“Lidhja Demokratike e Kosovës i sheh me shqetësim të madh deklaratat e zv. kryeministrit të Kosovës rreth ikjes së mjekëve nga Kosova. Duke e krahasuar vendin tonë me vendet e zhvilluara evropiane”, thuhet në njoftim.
LDK gjithashtu ka thënë se për dallim nga vendet që i ka përmendur zv. kryeministri, në Kosovë qytete të tëra veprojnë me vetëm nga një mjek familjarë, për gjithë territorin e tyre.
“Qeveria e Kosovës nuk ka as strategji e as vullnet mbi trajtimin dhe parandalimin e fenomenit të ikjes së tyre. Ikja e një mjeku të shkolluar në vendin tonë, i kushton buxhetit të shtetit dhjetra mijëra euro. Kjo qeveri duhet të ndërmarrë me urgjencë hapa strategjik në parandalimin e kësaj dukurie, si ngritja e pagës për punëtorët shëndetësor e ndarja e specializimeve sipas kërkesave të institucioneve shëndetësore. Të gjitha këto në shërbim të ofrimit të kushteve të dinjitetshme për ta. Kosova nuk ka kapacitete sikurse vendet e zhvilluara që i ka përmendur zv. kryeministri në zëvendësimin e mjekëve”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e lëshuar nga LDK-ja.
Ky reagim i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka ardhur pasi që zv.kryeministri, Besnik Bislimi, ka deklaruar se ata nuk munden të parandalojnë emigrimin e stafit shëndetësor.
Ai ka thënë se me projektligjin e ri nuk garantohet një pagë e madhe dhe më këtë e ka arsyetuar emigrimin e mjekëve kosovarë në shtetet evropiane.
“Po, kanë ikë mjekët gjithmonë në Kosovë, do të ikin gjithmonë. Edhe mjekët gjermanë ikin prej Gjermanisë. Kështu, edhe nga Gjermania ikin mjekë, pastaj shtrohet nevoja të vijnë prej Ukrainës, prej Kosovës, prej Italisë, prej Polonisë. Është vlerë e Bashkimit Evropian. Projektligji i ri (i pagave) nuk do ta bëjë pagën 6 mijë euro mjekëve që mos të kenë nevojë të shkojnë”, tha ai./Shqip.com