Lajme

Lajçak thotë se zhvilloi takim të dobishëm me Petkoviqin

Miroslav Lajçak dhe Petar Petkoviq - vizitë në Bruksel

Ndërmjetësuesi i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka takuar sot shefin e të ashtuquajturës “Zyrë serbe për Kosovën”, Petar Petkoviq, njofton Shqip.com.

Lajçak tha se ka pasur një takim të dobishëm me Petkoviqin.

Kështu ka bërë të ditur ai me anë të një postimi në llogarinë e tij në Twitter, derisa njoftoi për bisedimet që po zhvillohen në Bruksel midis Prishtinës dhe Beogradit për normalizimin e marrëdhënieve.

“Pas takimit të djeshëm me delegacionin e Kosovës, këtë mëngjes kisha një diskutim të dobishëm me Petar Petkoviq, shefin e delegacionit serb. Më vonë do të takojë të dy palët për të diskutuar për çështjet aktuale dhe përgatitjet për takimin e ardhshëm të liderëve” ka shkruar Lajçak.

Gjatë ditës së djeshme Lajçak ka pritur në takim zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, takim ky pas të cilit Lajçak njoftoi se gjithçka në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është politike, asgjë nuk është teknike. /Shqip.com