Lajme

Lajçak takon Vuçiq: Nevojë urgjente për tu kthyer në dialog

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, është takuar sot me emisarin sllovak, Miroslav Lajcak, në Pragë në margjina të Forumit Globsec.

Sipas raportimeve të mediave, Vuçiq ka diskutuar rreth ngjarjeve të fundit në veri të Republikës së Kosovës duke thënë se “të drejtat e serbëve po shkelen sërish dhe se siguria e serbëve është kërcënuar”.

Vuçiq aksionin e fundit të Policisë së Kosovës në katër komunat veriore e ka cilësuar si “lëvizje arrogante të Prishtinës”.

“Një bisedë e hapur dhe e sinqertë me Lajçakun, të cilit i përcolla shqetësimin tim të skajshëm për dhunën e fundit në Kosovë, shkeljen e përsëritur të të drejtave dhe rrezikimin e sigurisë së popullatës serbe nga lëvizjet arrogante dhe ilegale të Prishtinës”, ka deklaruar Vuçiq.

Kurse, emisari sllovak, Miroslav Lajçak, ka thënë se me presidentin serb kanë folur për nevojën urgjente për përparim në procesin e normalizimit dhe gjithashtu edhe për Planin e Rritjes.

Përfaqësuesi Special i BE-së ka thënë se kjo është thelbësore për të avancuar drejt integrimit në Bashkim Evropian.

“Fola me presidentin Aleksander Vuçiq në lidhje me pritjet dhe hapat e ardhshëm në Dialog. Ne diskutuam gjithashtu Planin e Rritjes dhe nevojën urgjente që Kosova dhe Serbia të bëjnë përparim në normalizim. Kjo është thelbësore për avancimin drejt integrimit në BE”, ka shkruar Lajçak në “X”.

/Shqip.com