Lajme

Lajçak sot në Kosovë – takohet me Osmanin, Kurtin, opozitën dhe përfaqësuesit politikë të serbëve

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë - Serbi, Miroslav Lajçak

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, gjatë vizitës dy ditore në Prishtinë, do të takojë presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti, zëvendëskryeministrin, Besnik Bislimi, liderët e partive opozitare dhe përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës.

Pas vizitës në Kosovë, Lajçak do të niset për në Beograd ku do të takohet Ndërsa me presidentin Aleksandar Vuçiq, dhe drejtorin e atë ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq.

Nga zyra e BE-së në Bruksel kanë thënë se ky mision i emisarit bëhet “në mënyrë që të avancohet drejt një zgjidhjeje të pëlqyeshme reciproke për të shmangur tensionet e reja në terren”.

Në krejt këtë agjendë, Lajçak do të shoqërohet nga homologu amerikan, Gabriel Escobar, që është i dërguar special i ShBA-ve për Ballkanin Perëndimor.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq në Bruksel, 18 gusht 2022

Vizita e tyre vjen pas rritjes së tensioneve mes Kosovës e Serbisë më 31 korrik dhe 1 gusht për shkak të reciprocitetit me dokumente e targat e makinave.

Sipas marrëveshjes së Brukselit, targat duhet të konvertohen nga ato që i lëshon Beogradi KM,PR e të tjera te ato që jepen nga institucionet kosovare RKS.

Më 18 gusht kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, biseduan për orë të tëra në Bruksel me ndërmjetësim të BE-së.

Lajçak dhe Borrell zhvilluan takime dy palëshe e tre palëshe me Kurtin e Vuçiqin por që rezultuan pa sukses./Shqip.com