Lajme

Lajçak planifikon të takohet me Kurtin dhe Vuçiqin në javën e ardhshme

Miroslav Lajçak

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi ka thënë se javën e ardhshme planifikon të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

Përmes një interviste për Kanal10, Lajçak tha se me Kurtin dhe Vuçiqin do të diskutohet për hapat e ardhshëm në normalizimin e marrëdhënieve.

“Pra, për momentin jemi pozitiv dhe mendojmë se realisht nuk duhet të përballemi me një krizë tjetër në terren por duhet të fokusohemi në normalizim të marrëdhënieve. Për t’u siguruar që po e shfrytëzojmë këtë momentum, po planifikoj që javën tjetër të vizitoj Prishtinën dhe Beogradin, për të takuar kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiq për të diskutuar hapat e ardhshëm të normalizimit bazuar në dokumentin që unë e kam paraqitur në muajin shtator, si dhe në komentet që kemi marrë nga Prishtina dhe Beogradi javëve të fundit”, tha Lajçak.

Lajçak tha se do të diskutohet edhe për datat e mundshme për takimin e ardhshëm.

“Dhe tani po planifikoj të vij javën tjetër për të vazhduar diskutimin tonë bazuar në këtë propozim mbi këto komente dhe për të folur për hapat e ardhshëm dhe më pas të përgatitet takimi i radhës i nivelit të lartë mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq i cili do t’i kushtohet plotësisht këtij propozimi dhe procesit të normalizimit. Dhe ne po diskutojmë edhe datat e mundshme të takimit të ardhshëm”.

Lajçak tha se situata në veri ishte në prag të një krize serioze.

“Do të thoja gjithashtu se ne kaluam rreth tetë orë këtu në Bruksel për të arritur marrëveshje. Dhe dy ditë më parë, të hënën, ishte një takim tjetër që zgjati poashtu 8 orë, i udhëhequr nga z.Borell. Unë isha prezent në takim, me presidentin Vuçiq dhe kryeministrin Kurti. Ai takim nuk prodhoi rezultate dhe dukej se ne po shkonim drejt një krize serioze. Dhe pastaj pala kosovare propozoi shtyrje për 48 orë. Dhe ne e dinim të mërkurën e kaluar se nëse nuk ka një marrëveshje, do të ndodhnin gjëra negative në terren. Dhe fakti që ata kuptuan se kjo ishte shansa e fundit, bëri që palët të jenë serioze dhe të përkushtuara dhe më duhet ta përsëris, të dy palët ishin konstruktive përndryshe nuk do të kishte marrëveshje”.

Tutje, Lajçak ka thënë se ata iu besojnë partnerëve për zbatimin e marrëveshjes për targat por BE-ja po vazhdon ta monitorojë zbatimin e saj.

/Shqip.com