Lajme

Lajçak pas vendimit të Qeverisë për reciprocitet: Duhet t’i parandalojmë tensionet

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë - Serbi, Miroslav Lajçak

Emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka komentuar vendimin e fundit të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e reciprocitetit.

Sipas Lajçak, vendimi i Qeverisë ka ndryshuar temat dhe planet e vizitës së tij.

Lajçak ka bërë thirrje që të mos tensionohet situata dhe të punohet drejt normalizimit të marrëdhënieve.

“Unë erdha në rajon për t’u përgatitur për takimin e radhës të liderëve dhe për të folur për përparimin dhe normalizimin e marrëdhënieve, tani duhet ta zgjidhim këtë situatë. Nuk duhet të lejojmë që të ndodhë ndonjë krizë”, tha ai.

Lajçak për televizionin N1 nuk ka pranuar të komentojë deklaratën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq se Prishtina po planifikon një “sulm” në veri të Kosovës.

Qeveria e Kosovës

“Ne patëm një bisedë shumë serioze mbrëmë për situatën dhe sigurisht që duhet të kërkojmë zgjidhje përmes dialogut dhe jo konfrontimit”, tha Lajçak para gazetarëve.

Qeveria e Kosovës, ka vendosur më 29 qershor reciprocitet për dokumente në kufi për shtetasit serbë, duke e vazhduar edhe reciprocitetin për targat.

Lexo edhe:
Qeveria vendos reciprocitet me Serbinë për letërnjoftim

Pas këtij vendimi, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka reaguar duke paralajmëruar bllokadë në dialog.

Theksojmë se Lajçak qëndroi për vizitë treditore në Prishtinë nga ku tha se është duke punuar në përgatitjen e një takimi midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Në konferencën për media ka folur edhe për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Ai ka thënë se ka kohë që Kosova i ka përmbushuar kriteret për liberalizimin e vizave dhe një gjë e tillë do duhej të kishte ndodhte deri tani./Shqip.com