Lajme

Lajçak: Jemi partnerë – nuk vijmë me kërcënime apo ultimatume, por propozimi është më i miri

Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak
Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak

Emisari special i Bashkimit Europian, Miroslav Lajçak, ka folur edhe një herë për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

Ai ka thënë që pret nga Kosova dhe Serbia që të pranojnë planin dhe ta nënshkruajnë atë.

”Jemi duke zhvilluar diskutime ndaras me palët dhe kur t’i bashkojmë do të presim që planin ta pranojnë, ta nënshkruajnë dhe ta zbatojnë natyrisht, pra të sigurohemi që ajo që do të nënshkruhet edhe të zbatohet”, është shprehur Lajçak.

Më tutje Lajçak ka thënë se ata për Kosovën janë partner dhe se nuk kërcënojnë apo japin ultimatume.

”Ne jemi partnerë, nuk vijmë me kërcënime ose ultimatume, besoj se është një grup vërtetë serioze  dhe kemi qëllimin më të mirë që me të vërtetë të zhvendosim cilësinë e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në nivel më të lartë”.

Ai ka thënë se propozimi përmban 11 pika, teksa kanë prezantuar versionin e parë duke iu kërkuar të dyja palëve ta japin komentin e tyre.

“Takimi ishte i gjerë dhe i gjatë për këtë plan. Synimi është që të ndalet cikli i krizave. Janë 11 pika në këtë plan. Kemi diskutuar propozimin në përgjithësi. 2 orë e gjysmë janë mjaft kohë për të diskutuar për propozimin dhe kontekstin ndërkombëtar. Kishte ndryshime, sepse sic thashë pas versionit të parë, kam vizituar Prishtinën dhe Beogradin, dhe kemi inkorporuar komentet. Megjithatë, filozofia e planit nuk ka ndryshuar”, ka thënë Lajçak

Megjithatë Lajçak nuk ndërron qëndrim, teksa thotë se propozimi është më i miri i mundshëm, raporton Klan Kosova.

/Shqip.com