Lajme

Lajçak: Dialogu Kosovë-Serbi është në rrugë të mbarë

I Dërguari Special i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, është deklaruar pas takimi midis ekipeve negociuese të Kosovës dhe Serbisë.

Lajçak është shprehur se dialogu Kosovë-Serbi është në rrugë të mbarë.

‘’Takimi i sotëm i kryenegociatorëve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është në rrugë të mbarë. Ne kemi një axhendë të plotë të çështjeve aktuale, duke përfshirë targat, zbatimin e marrëveshjeve të kaluara të Dialogut dhe përgatitjen e terrenit për një takim të ardhshëm të nivelit të lartë’’ ka shkruar Lajçak në Twitterin e tij.

Theksojmë se më 20 shtator të vitit 2021, Qeveria e Kosovës, kishte vendosur masën e reciprocitetit për targat serbe, që nënkuptonte se me të hyrë në territorin e Kosovës, makinat me targa serbe, duhet të merrnin targa provuese.

Ideja ishte që këto targa provuese të ishin të vlefshme për 60 ditë dhe të kushtonin pesë euro.

Ky reciprocitet më pas nxiti protesta dhe bllokada nga serbët lokalë, të cilët shtatorin e kaluar bllokuan rrugët që çonin në dy pikë kalimet kufitare që lidhin Kosovën dhe Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.

Më 30 shtator, me ndërmjetësimin e BE-së, Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje të përkohshme për targa.

Pritet të shihet nëse takimi i ardhshëm Kosovë-Serbi do të jetë i nivelit më të lartë./Shqip.com