Lajme

Lajçak dhe këshilltari i Scholz dhe ai i Macron sot vizitojnë Kosovën, takohen me Kurtin

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeminstri, Albin Kurti pret sot në takim përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe këshilltarët për polikë të jashtme dhe siguri të Kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz dhe presidentit të Francës, Emmanuel Macron, Jens Plotner dhe Emmanuel Bonne.

Takimi pritet të mbahet nga ora 10:00 në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano ditë më parë ka thënë se qëllimi i vizitës është përparimi i dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano.

“Qëllim i vizitës është të eksplorohen opsionet për përparimin në dialog”, tha Stano.

Stano ka treguar se takimet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq janë planifikuar të bëhen ndaras.

“Gjatë vizitës janë të planifikuara takime të ndara me kryeministrin Kurti dhe presidentin Serbisë, Vuçiq”.

Të hënën Qeveria e Kosovës ka njoftuar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar letër nga kancelari gjerman Olaf Scholz dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

Një nga takimet e nivelit të lartë në dialogun ndërmjet Kosovës e Serbisë në Bruksel.

Sipas njoftimit të Qeverisë së Kosovës, në letër thuhet se për Ballkanin Perëndimor normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i një rëndësie kruciale.

Lexo edhe:
Schloz dhe Macron i shkruajnë Kurtit, kërkojnë që këshilltarët e tyre të vizitojnë Kosovën bashkë me Lajçakun

“Për Ballkanin Perëndimor normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i një rëndësie kruciale. Po u adresohemi juve si lider i shtetit tuaj, për t’u bërë thirrje për të treguar gatishmëri dhe zgjidhje maksimale për të marrë vendime të vështira, që shpijnë drejt progresit të dialogut të udhëhequr nga BE, në mes Kosovës dhe Serbisë”, shkruhet në letër.

Megjithatë, në letër thuhet se ata kanë ngarkuar me punë këshilltarët e tyre të politikës së jashtme dhe sigurisë, Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne, për të mbështetur direkt Miroslav Lajçak në përpjekjet e tij.

“Prandaj, ne kemi ngarkuar me punë këshilltarët tonë të politikës së jashtme dhe sigurisë, Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne, për të mbështetur direkt Miroslav Lajčak në përpjekjet e tij”.

Në këtë letër, Schloz dhe Macron kanë propozuar që këshilltarët të bëjnë një vizitë të përbashkët me Lajçakun në Kosovë dhe Serbi, në mënyrë që të gjejnë opsionet, që procesi të lëvizë përpara dhe shpejt.

Ndryshe, Lajçak, bashkë me të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin, Gabriel Escobar, qëndruan në Kosovë dhe Serbi edhe në fund të gushtit.

Lexo edhe:
Kosova nis zbatimin e reciprocitetit me Serbinë për letërnjoftimet dhe targat

Pas angazhimeve të tyre diplomatike, Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për lëvizjen e lirë të qytetarëve, përkatësisht për heqjen e dokumenteve hyrëse/dalëse nga të dyja anët./Shqip.com