Lajme

Ky është vendimi që mori Gjykata Kushtetuese për HEC-in e Skavicës

Gjykata Kushtetuese ka vendosur pas 6 orësh diskutime mbi fatin e HEC-it të Skavicës. Disa shoqata kundërshtuan projektin e qeverisë mbi ndërtimin e hidrocentralit. Por derisa për momentin nuk ka asnjë projekt final apo që të ketë nisur puna nuk ka se çfarë të anulojë.

E ndërsa studimi i fizibilitetit vazhdon, gjykata ka gjetur një shkelje. Sipas saj, komuniteti nuk është konsultuar për HEC-in. Në këtë mënyrë detyron organet kompetente që të pyesin banorët.

“Duke pasur parasysh se ligji e rregullon projektin e Skavicës në dy faza dhe faza e dytë fillon vetëm nëse finalizohet faza e parë, Gjykata vlerësoi se kërkuesit legjitimohen vetëm për pretendimin për cenimin e së drejtës së informimit për çështjet mjedisore”, thotë gjykata.

“Për sa më lart, Gjykata vlerësoi se, duke qenë se ligji ndodhet akoma në fazën e parë të zbatimit të tij, shkeljet e konstatuara para miratimit të ligjit mund të riparohen ende përmes ndërmarrjes së hapave konkretë për përfshirjen e publikut në informacion dhe vendimmarrje.

Në përfundim të shqyrtimit të çështjes, Gjykata, njëzëri,

Vendosi:

1) Konstatimin e shkeljes së të drejtës për informim për gjendjen e mjedisit dhe mbrojtjen e tij, të garantuar nga neni 56 i Kushtetutës, në procedurat e miratimit të ligjit nr. 38/2021.

2) Urdhërimin e autoriteteve publike për të riparuar shkeljen e konstatuar dhe për të garantuar të drejtën për informim gjatë fazës së parë të zbatimit të ligjit nr. 38/2021.

3) Detyrimin për marrjen parasysh në vijim të rezultateve të procesit të informimit për mbrojtjen e mjedisit, për aq sa është e mundur, në zbatim të nenit 8 të Konventës së Aarhusit”, mbyllet njoftimi.

HEC Skavica është një projekt i qeverisë shqiptare që synon ndërtimin e një hidrocentrali në luginën e Drinit (Drini i Bardhë) i cili buron nga liqeni i Pogradecit.

Skavica mund të kushtojë 308-510 milionë euro.

Sipas qeverisë, ndërtimi i HEC Skavicës është një projekt madhor me impakt jo vetëm në sistemin elektro-energjetik, por edhe në ekonominë kombëtare të vendit.

Ky projekt do të sigurojë optimizimin e Kaskadës së Drinit, eliminimin e përmbytjeve në zonën e fushë Shkodrës dhe fushë Lezhës, si dhe rritjen e sigurisë dhe efiçencës në veprat hidrike në HEC-et ekzistuese të kaskadës.

Ministrinë e Energjetikës dhe KESH-in, integrimi i HEC Skavicës me kaskadën e Drinit ka avantazhet se: krijon rezervën ujore më të madhe në Europë, prej 7 miliardë m3 ujë dhe, në të njëjtën kohë bëhet aseti më i rëndësishëm strategjik kombëtar; si dhe disiplinon përmbytjet në të gjithë rrjedhën e Drinit; rrit sigurinë e digave poshtë saj dhe mundëson menaxhimin e integruar dhe të kompjuterizuar nga një dispeceri qendrore të hidrocentraleve të kaskadës së Drinit, duke e rritur eficiencën e saj rreth 10 për qind.

“Ky HEC mundëson integrimin më të mirë energjitik me Kosovën ose tregun rajonal, sidomos me Italinë, duke mundësuar eksportin e energjisë në momentet e pikut me çmimet më të larta, çka maksimizon përfitimet financiare të KESH-it”, thuhet në draftpropozimin e KESH për HEC-in e Skavicës.

/Shqip.com