Lajme

Kuvendi vazhdon me telashet me kuorum

Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në shqyrtim të dytë Projektligjin për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna në baza gjinore.

Për miratimin e këtij projektligji kanë votuar 62 deputetë, ndërsa s’kishte asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim.

Në këtë seancë, është miratuar në lexim të dytë shqyrtimi i dytë i Projektligjit për të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta.

Për votimin e këtij projektligji kanë votuar 66 deputetë. S’kishte asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim.

Po ashtu ka votuar Formimin e Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një anëtar të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga radha e komunitetit serb.

VV-ja propozoi anëtarët e saj ku kjo parti edhe do të jetë kryesuese e këtij Komisioni. PDK tha se nuk do të merr pjesë në këtë Komision,  e LDK-ja  propozoj Agim Veliu dhe Vlora Dumoshi, dhe AAK-ja deputeten Time Kadrijaj.

Shumica e deputetëve të Kuvendit të Kosovës kanë votuar kundër një rezolute të propozuar nga AAK.

Kundër kësaj resolute ishin 49 deputetë, 19 pro dhe 3 abstenuan.

Rezoluta ka qenë e propozuar për punën dyvjeçare të qeverisë, që do të thotë se nuk është hedhur në votim që nga fillimi i vitit.

Ndërkohë, ka dështuar të votohet marrëveshja ndërkombëtare për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bankës Evropiane për Investime për projektin “Rehabilitimi i linjës hekurudhore 10 B”.

Megjithësë në sallë ishin 82 deputetë të mjaftueshëm për të nisur procedurën e votimit, jo të gjithë morën pjesë në votim.

Andaj, kryetari Glauk Konjufca tha se mungon kuorumi, prandaj kjo pikë do të votohet në seancë tjetër.

“Janë vetëm 72 vota, s’janë të mjaftueshme për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare. Prandaj, kjo i bartet një seance të re”, tha Konjufca.

Këtë marrëveshje refuzoi ta votojë Grupi Parlamentar i PDK-së, ndërsa ai i LDK-së ishte pro.

/Shqip.com