Lajme

Kuvendi mban seancë të enjten, debatohet për grevën

Kuvendi i Kosovës

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mbajnë seancë plenare të enjten më 15 shtator në ora 10:00.

Kështu ka bërë të ditur shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila.

Me kërkesë të partive opozitare, në ketë seancë përveç pikave tjera në rend dite do të jetë edhe debati parlamentar për grevën e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës.

Kryetari i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka thënë se shpreson që deri ditën e enjte të gjendet një zgjidhje dhe të kthehen nxënësit në mësim.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri

“Nuk ka si të filloj ky sesion ndryshe pa një debat. Është e hëna e tretë që do të duhej te fillonte mësimi. Kemi ardhë në situatë që greva po vazhdon dhe ata qe po humbin më së shumti janë fëmijët tanë”- ka thënë Tahiri.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri

Kurse shefi i GP të AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë se gjendja është e jashtëzakonshme.

Kuvendi në seancën e të enjtes do të shqyrtojë tri projektligje për Mbrojtën dhe FSK-në. Projektligji për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës, projektligji për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe projektligji për Ministrinë e Mbrojtjes./Shqip.com