Lajme

Kurti zhvillon takim me Charles Michel, diskutojnë për aplikimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe liberalizimin e vizave

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel po qëndron për vizitë në Kosovë. Ai sot gjatë ditës pos me Vjosa Osmanin ka zhvilluar edhe një takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Gjatë këtij takimi është biseduar për të arriturat dhe sfidat në më shumë se një vit qeverisje.

Lidhur më këtë kryeministri Kurti është shprehur se stabiliteti institucional dhe qeverisja demokratike ka ndikuar në ngritjen për 17 vende të pozitës së Kosovës në indeksin e Transparency International për vitin 2021 dhe po për 17 vende në indeksin e “World Press Freedom” për liri të shprehjes dhe të mediave.

Po ashtu gjatë takimit midis Kurtit dhe Michel është biseduar edhe për aplikimin e Kosovës në Bashkimin Evropian.

“Kryeministri Kurti theksoi vullnetin dhe bindjen e fuqishme të popullit të Kosovës për të ardhmen evropiane dhe në Bashkimin Evropian dhe e njoftoi Presidentin Michel për aplikimin për statusin e vendit kandidat, që planifikohet të bëhet deri në fund të vitit” thuhet në njoftimin nga zyra e kryeministrit.

Gjithashtu Kurti ka shprehur shpresën për përkrahje për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës, si dhe për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Po ashtu në këtë takim sipas njoftimit është biseduar edhe në lidhje me procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

“Lidhur me dialogun me Serbinë në Bruksel, kryeministri Kurti theksoi qasjen konstruktive të Kosovës për arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme, që në qendër ka njohjen reciproke.” thuhet në njoftim.

Ndërkaq Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, tha se Ballkani Perëndimor është shumë i rëndësishëm për BE-në dhe se aty zgjidhja e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është posaçërisht e rëndësishme./Shqip.com