Lajme Botë

Kurti: Vdekja e raportuar e Navalnyt, thirrje që ta shohim autoritarizmin si të tillë

Udhëheqësi opozitar rus Alexei Navalny, kundërshtar i ashpër i Presidentit rus Vladimir Putin
Udhëheqësi opozitar rus Alexei Navalny, kundërshtar i ashpër i Presidentit rus Vladimir Putin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se vdekja e raportuar e liderit opozitar rus, Alexei Navalny, në një burg rus të premten, është thirrje “për të gjithë që ta shohim autoritarizmin si gatishmëri për vrasjen” e atyre që e kundërshtojnë pushtetin e kapur.

Një departament lokal i Shërbimit Federal të Burgjeve të Rusisë tha të premten në mesditë se Navalny ka vdekur në burg.

Kurti, i cili po merr pjesë në Konferencën e Sigurisë në Munih të Gjermanisë, shkroi në rrjetin social X: “Vdekja e raportuar e Navalnyt është thirrje për të gjithë që ta shohim autoritarizmin si të tillë; një gatishmëri për të vrarë dhe torturuar këdo që e kërcënon pushtetin e kapur fuqishëm”.

Kosova dhe Rusia nuk kanë kurrfarë marrëdhëniesh, pasi Moska, si mbështetëse e madhe e Serbisë, është njëra prej kundërshtareve më të mëdha të pavarësisë së Kosovës.

Kosova e feston të shtunën më 17 shkurt përvjetorin e 16-të të Pavarësisë, pasi e shpalli atë nga Serbia më 2008.

Prej se Rusia nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022, Kosova i ndërmori të gjitha masat sanksionuese që Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës i ndërmorën kundër saj.

Shërbimi Federal të Burgjeve i Rusisë në rajonin Yamalo-Nenets tha të premten se Navalny u ndje keq, pas ecjes më 16 shkurt dhe më pas humbi vetëdijen dhe se vdiq pasi iu ofrua ndihma mjekësore.

“Të gjitha masat për ta kthyer në jetë u ndërmorën, por ato nuk prodhuan rezultate pozitive. Mjekët e autoambulancës e shpallën të vdekur të burgosurin. Shkaku i vdekjes është duke u përcaktuar”, u tha në deklaratën e Shërbimit rus, njoftim që nuk ka qenë e mundur të konfirmohet në mënyrë të pavarur.

Por, sekretarja për media e Navalnyt, Kira Yarmysh, shkroi në rrjetin social X se ekipi i kritikut të Kremlinit, nuk ka konfirmim për vdekjen e tij.

Yulia Navalnaya, bashkëshortja e Navalny, tha se Putini dhe bashkëpunëtorët e tij nuk do të shpëtojnë pa u ndëshkuar nëse konfirmohet vdekja e raportuar e burrit të saj.

Ajo i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare ta luftojë së bashku “regjimin e tmerrshëm” në Rusi, duke folur Konferencën e Sigurisë në Munih.

“Nuk e di nëse duhet t’i besojmë lajmit të tmerrshëm. Ne nuk mund t’i besojmë Putinit dhe Qeverisë së tij. Por, nëse kjo është e vërtetë, do të doja që Putini dhe i gjithë stafi i tij, i gjithë rreth i tij, Qeveria e tij dhe miqtë e tij, ta dinë se do të ndëshkohen për atë që kanë bërë me shtetin tonë, me familjen time dhe me bashkëshortin tim”, tha Yulia Navalnaya.

Raportimi për vdekjen e Navalnyt ka nxitur zemërim dhe dënim nga liderët botërorë që e kanë thënë se kritiku i Kremlinit ka paguar “çmimin më të lartë” për kurajën e tij për të folur kundër udhëheqjes së shtetit.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka thënë se nuk ndihet i befasuar por i “zemëruar” pas vdekjes së raportuar të liderit opozitar rus, Alexei Navalny, duke shtuar se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, është përgjegjës për vdekjen e tij.

“Ai e kundërshtoi trimërisht korrupsionin, dhunën dhe të gjitha gjërat e këqija që po i bënte Qeveria e Putinit”, tha Biden në Shtëpinë e Bardhë.

Navalny, një kritik i zëshëm i Putinit, është mbajtur në burgun rus prej vitit 2021 nën akuza që janë cilësuar nga shumë si të nxitura politikisht.

Në gusht, Navalny u shpall fajtor për themelimin dhe financimin e një organizate ekstremiste, gjë të cilën e ka mohuar gjithmonë, dhe u dënua me 19 vjet burgim shtesë.

Ai veçse ishte dënuar me nëntë vjet burgim për shkelje të lirimit me kusht, për mashtrim dhe shpërfillje të gjykatës. /REL

/Shqip.com