Kurti u bën thirrje mërgimtarëve të regjistrohen për të votuar në zgjedhjet lokale

Kryeministri i Kosovës, njëherësh kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i ka bërë thirrje të martën mërgatës shqiptare që të regjistrohet për votim në zgjedhjet lokale.
Kur kanë mbetur vetëm dy muaj nga zgjedhjet, Kurti ka thënë se nuk preferohet ndryshimi i Ligjit për Zgjedhje.
Prandaj, edhe në këto zgjedhje, na presin të njëjtat procedura si në të kaluarën, me synimin që kjo të jetë hera e fundit e mënyrës së vështirë të votimit nga jashtë”, është shprehur shefi i qeverisë në video-mesazhin drejtuar diasporës.
Votimin e mërgimtarëve në zgjedhjet e vjeshtës Kurti e ka quajtur të një rëndësie të madhe, duke thënë se vota e mërgatës shumë herë është treguar vendimtare në përcaktimin e kursit politik e zhvillimor në Kosovë.
“Deri më datë 18 gusht është afati i regjistrimit për të votuar prej jashtë vendit. Nxitoni, regjistrohuni, dhe ndihmoni e inkurajoni të tjerët ta bëjnë një gjë të tillë. Andaj mos e lëni për ditën e radhës apo ditën e fundit, aplikoni sa më parë dhe hyni në rrjedhën teknologjike që do ju përcjellë me instruksione deri në ditën e votimit. Qyteti e lagjja, komuniteti e familja, kushtet më të mira për jetë dhe mundësitë tona për zhvillim janë të lidhura me nivelin lokal para së gjithash andaj t’ia njohim rëndësinë e vërtetë zgjedhjeve të 17 tetorit”, ka thënë ai./SHQIP.com