Lajme

Kurti takon Ursula von der Leyen, flasin për liberalizimin e vizave e për sektorin energjetik

Liberalizimi i vizave për Kosovën dhe problemet me sektorin e energjisë, ishin dy temat kryesore të takimit midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentes së KE-së, Ursula von der Leyen.

Po ashtu në këtë takim , Kurti tha se Kosova do të aplikojë për anëtarësim në Bashkimin Evropian para përfundimit të këtij viti. Ndërkaq sa i përket liberalizimit të vizave, kryeministri Kurti u shpreh se Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret dhe se liberalizimi tashmë është më se meritor për qytetarët e Republikës së Kosovës.

Gjithashtu u diskutua edhe për krizën energjetike me të cilën po përballet i gjithë kontinenti evropian.

“Në këtë takim të sotëm, u konfirmuan ndihma e menjëhershme buxhetore prej 75 milionë euro për Kosovën në ballafaqimin me krizën energjetike. Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe popullit të Kosovës, kryeministri Kurti shprehu falënderimin e tij për këtë mbështetje e cila do të ndihmojë drejtpërdrejt në minimizimin e efekteve të krizës energjetike te qytetarët tanë” thuhet në njoftim.

Ursula von der Leyen po ashtu gjatë ditës ka zhvilluar takim edhe me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

/Shqip.com