Lajme

Kurti sot e pret opozitën, zyra e kryeministrit jep detaje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pret sot në takim dy liderët e opozitës, Lumir Abdixhikun dhe Ramush Haradinajn.

Por, ftesën e ka refuzuar kreu i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi.

Takimi pritet të fillojë nga ora 15:00.

Kurti liderët e opozitës do t’i njoftojë se çfarë ka biseduar më 18 gusht me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Lexo edhe:
Kurti fton krerët e opozitës që të takohen të martën

Po ashtu, kryeministri ka thënë se dallimet mes vete që i kanë nuk duhet të tejkalojnë interesin shtetëror e kombëtar.

Lexo edhe:

Si shkak i mos pranimit të ftesës për takim, Krasniqi e sheh degradimin e dialogut i cili sipas tij ka rrëshqiur në nivel teknik.

“Aktualisht, e tëra që po shohim është se dialogu ka rrëshqitur në nivel teknik, duke përfshirë riciklimin e marrëveshjeve të kaluara. Sa i takon zbatimit të përgjegjësive që keni si udhëheqës i Dialogut, unë ju inkurajoj që të vazhdoni angazhimin tuaj dhe te qeverisë për respektim të vendimeve të ligjshme që sigurojnë reciprocitet në raport me Serbinë, si dhe sundim të ligjit dhe lëvizje të lirë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Por, nuk konsideroj se në këtë moment ka një situatë emergjente për t’u takuar e për të diskutuar për këto përgjëgjësi tuajat.”, ka shkruajtur në letrën e tij Krasniqi.

I pari i partisë më të madhe opozitare në Kosovë, ka thënë se do të takohet me Kurtin në momentin kur do të ketë avancime në dialog dhe diskutime për arritjen e marrëveshjes finale me Serbinë.

Lexo edhe:
Borrell: Serbia ka vendosur t’i pranojë dokumentet e Kosovës

Kujtojmë se përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josef Borrell ka bërë të ditur se tashmë është arritur marrëveshja midis Kosovës dhe Serbisë sa i përket përdorimit të letërnjoftimeve nga ana e qytetarëve të këtyre dy shteteve.

Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi nga vetë ai në rrjetin social në Twitter.

“Serbët e Kosovës, si dhe të gjithë qytetarët e tjerë, do të mund të udhëtojnë lirshëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duke përdorur letërnjoftimet e tyre. BE-ja sapo mori garanci nga kryeministri Kurti për këtë. Kjo është një zgjidhje evropiane”, ka shkruar Borrell.

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka falënderuar edhe të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar për diplomacinë dhe angazhimin e tij në procesin e dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë./Shqip.com