Kurti: Serbisë duhet t’i vendosen sanksionet, nuk ka normalizim pa siguri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk ka komentuar ardhjen e emisarëve evropianë dhe amerikanë në Kosovë, duke thënë se kërkesat dhe ofertat e tyre do t’i mësojë nesër.
Kurti i bëri këto komente kryeministri Albin Kurti pas vënies së gurthemelit të çerdhes në Godanc të Shtimes, ku tha se nuk mund të ketë normalizim pa siguri.
“Çka do të kërkojnë e çka do të ofrojnë e marrim vesh nesër. Unë mund të them se nuk mund të kemi normalizim pa siguri dhe siguria e Republikës së Kosovës duhet të jetë prioritet edhe për institucionet e shtetit por edhe për popullin e shoqërinë, për këtë ne punojnë ditë e natë. Në dhjetorin e vitit të kaluar i kishim tri javë 16 barrikada në veri. Është jetike për Kosovën, demokracinë por edhe për Ballkanin Perëndimor në përgjithësi që ata që nuk e kanë ditur ose nuk e kanë kuptuar se kush është Serbia dhe Beogradi zyrtar, më në fund duhet ta bëjnë këtë sepse nuk është Kosova që duhet t’i vënë masa ndëshkuese por është Serbia ajo që duhet t’i vendosen sanksionet. Sa i përket dialogut në Bruksel, ne prej atje kemi marrëveshje, por sërish për shkak të Serbisë nuk është zbatuar. Ne kemi edhe marrëveshjen bazike të 27 shkurtit dhe aneksin e zbatimit të 18 marsit. Ne kemi qenë përherë konstruktiv, kreativ dhe të përkushtuar dhe kurrsesi nuk ka faj apo përgjegjësi në anën tonë pëse Kosova dhe Serbia nuk i kanë marrëdhëniet normale. Marrëveshja bazike e Brukselit nga 27 shkurti e ka në qendër njohjen defakto reciproke dhe sa më parë që zbatohet ajo, do të kemi jo vetëm normalizim demokratik e evropian por edhe siguri për vendin tonë e rajonin”, tha ai.
Të shtunën do të vijnë pesëshja e diplomatëve të angazhuar me procesin e dialogut.
Ata do të kenë takime me zyrtarë të lartë në Kosovë dhe Serbi.
/Shqip.com