Lajme

Kurti: Serbia nuk dëshiron marrëveshje, synon krijimin e republikës serbe brenda Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur edhe njëherë për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

Sipas Kurtit, Serbia nuk dëshiron marrëveshje dhe synim kryesor ka krijimin e republikës serbe brenda Kosovës.

“Ne duam një marrëveshje, të shkojmë në dialog. Por, Beogradi e Vuçiqi duket se nuk e duan këtë. Ne duam marrëveshje që do ta ketë në qendër njohjen e ndërsjellë. Nëse Beogradi thotë se nuk do të ndodhë, atëherë është kundër marrëveshjes. Kosova nuk do të lejojë një Republika serbe brenda saj dhe e dimë mjaft mirë se Serbia e do pikërisht këtë. Ne kemi përvojë të hidhur nga Bosnjë-Hercegovina dhe jemi shumë të kujdesshëm që Serbia të mos e kopjoj atë model edhe në Kosovë. Serbia do një shtet të saj brenda Kosovës. Qëllimi i Serbisë është destruktiv, nuk do asgjë për serbët e Kosovës, vetëm do diçka kundër nesh. Beogradi që thotë se Kosova është shtet fals dhe kërkon Asociacionin, nuk është serioz. Po ta donte Asociacionin do ta njihte së pari Kosovën. Ata duan Asociacionin që Kosova të bëhet jofunksionale”, ka deklaruar Kurti.

Më tutje Kurti është shprehur se qeveria në BeH duhet të formohet sa më shpejt dhe se Prishtina dhe Sarajeva duhet  të vendosim një urë lidhëse, raporton N1.

“Ne duhet të vizitojmë njëri-tjetrin sa më shpesh të jetë e mundur. Kam pasur kontakte të mira me të gjithë përfaqësuesit e Bosnjë-Hercegovinës, duke filluar me Denis Zvizdiqin dhe shpresoj që bashkëpunimi ynë të zhvillohet edhe më shumë”, është shprehur Kurti.

Kurti është shprehur se Kosova është një histori suksesi falë ndërhyrjes së NATO-s dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

/Shqip.com