Lajme

Kurti: Serbia duhet të bëj lëshime për ta rregulluar raportin me Kosovën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur për ecurinë e dialogut me Serbinë.

Gjatë një interviste për Zërin e Amerikës, Kurti tha se procesi i dialogut nuk ka mbetur pas por është Serbia ajo që nuk ka shënuar progres.

“Nuk ka hapa pas por Serbia ka mbetur pas. Kjo pasi nuk i pranon krimet që i ka kryer dhe refuzon ta pranojë pavarësinë e Kosovës”, u shpreh ai.

Duke shtuar se mes dy shteteve duhet të ketë “ normalizim të plotë të marrëdhënieve e cila në qendër e ka njohjen reciproke”.

Kurti, u shpreh se Kosova është e gatshme për njohje reciproke.

“Unë jam i gatshëm për njohje reciproke, Serbia nuk është. Raportin me Serbinë nuk e kemi normal duam ta normalizojmë mirëpo për këtë qëllim Serbia duhet të bëj lëshime” tha më tej ai.

Dialogu Kosovë-Serbi

Sipas tij, Kosova nuk është e gatshme vetëm të dialogoj pa pasur një marrëveshje në fund.

“ Ne duam të kemi normalizim, duam dialog për marrëveshje e jo dialog për dialog”, tha ai.

 Kurti preku edhe çështjen e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Ai tha se ky Asociacion nuk e ka kaluar “testin e Gjykatës Kushtetuese”.

“Asociacioni i Komunave të Kosovës nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese. Në Kosovë mund të ketë asociacion por jo mbi baza etnike, por në mënyrën si është në frymën dhe germën e saj, jo”, u shpreh ai.

Derisa tha se çështja e Asociacionit nuk është në qendër të marrëveshjes së dialogut me Serbinë.

“Duhet ta keni parasysh se në qendër të marrëveshjes nuk është Asociacioni dhe asnjë zyrtar amerikan nuk e kërkon këtë”, u shpreh Kurti./Shqip.com