Lajme

Kurti: S’bën të barazohet fjala “komunitet” me “Asociacion”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti edhe njëherë ka folur për takimin e Ohërit.

Teksa ka komentuar deklaratën e të dërguarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak se fjala “komunitet” i bie Asociacion, ai tha se s’bën të barazohen njëjtë këto dy terme.

“Në pikën 7 të marrëveshjes bazë thuhet “një nivel adekuatë i vetmenaxhimit të komunitetit serb”. Thuhet “komuniteti serb”, jo “komunat”. Komuniteti nuk është kategori territoriale, e komunat janë njësi territoriale, pra nuk është e njëjta gjë.Unë e kuptoj që nuk janë krejtësisht të ndryshme, por nuk janë e njëjta gjë. E kam thënë në Kuvend se nga pikëpamja ime, kur themi “komuniteti serb”, atëherë automatikisht shkojmë tek marrëveshja kornizë për mbrojtjen e pakicave sipas KiE-së. Kjo është platforma në të cilin kuptohet edhe angazhohemi për komunitetet”, është shprehur Kurti.

Më tutje Kurti, theksoi se dialogu me Serbinë nuk është prioritet i qeverisë së tij.

“Së pari, më lejoj të ju korrigjoj se nuk është prioritet në angazhimet e mia as për nga vëllimi, e as për nga intensiteti. Ju nuk e dini se çka bëj unë gjithë ditën, por nëse shihni angazhimet e mia për shëndetësi, për ekonomi, për arsim, për infrastrukturë, për financat, për pakicat e tjera, për komunat, angazhimet ndërkombëtare për marrëdhëniet bilaterale me shtetet e tjera, vëllim gjigand është i punës kjo. Prandaj, edhe njëherë po e them se nuk është dialogu top prioritet siç e konstatuat ju”, tha Kurti.

Gjatë ditës së djeshme, përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha se marrëveshja mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, paraqet një pikë kthese në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes tyre.

Lajçak theksoi se Kosova e ka obligim që menjëherë të fillojë me zbatimin e pjesës së Marrëveshjes që lidhet me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Ai pranoi se BE-ja kishte një plan më ambicioz: nënshkrimin e Marrëveshjes për normalizim dhe një draft-aneks me afate kohore dhe detyra të qarta.

Por, ai tha se udhëheqësit e dy vendeve nuk kanë mundur të bien dakord për secilën pikë dhe se presidenti serb ka refuzuar ta nënshkruajë dokumentin. Prandaj, propozimi ka ndryshuar.

Lajçak paralajmëroi një takim të kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë së shpejti, për të filluar, siç tha, punën për zbatimin e dispozitave të Marrëveshjes.

/Shqip.com