Kurti: Qeveria e interesuar për t’i ndihmuar komunitetet

Në kuadër të javës së aktiviteteve për shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Romëve, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministren për Çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut, Emilija Rexhepi, vizitoi organizatën më të vjetër rome “Durmish Aslano”, ku u prit nga Drejtori ekzekutiv, Fatmir Menekshe.
Kurti theksoi se Qeveria është e gatshme edhe e interesuar, që t’i ndihmojë dhe përkrahë komunitetet.
Ai veçoi ndarjen e mbi 500 bursave për nxënësit e komunitetit rom, egjiptian, ashkali dhe marrëveshjen ndërmjet Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, për 50 mësuese të gjuhës së komuniteteve.
“Në këtë rast po tregojmë, që jemi të përkushtuar jo vetëm në ditë feste, por edhe për çdo ditë pune, për rezultatet, të cilat mund të jenë veçse të përbashkëta. Nuk ka suksese individuale, ka vetëm suksese të përbashkëta. Do të bëhet mirë për secilin, sepse do ta bëjmë mirë për të gjithë”, tha ai.
Kurti i është përgjigjur edhe pyetjeve në lidhje me vizitat që planifikon t’i realizojë nëpër komuna.
Ai ka thënë se do të takohet edhe me kryetarin e Prizrenit, Shaqir Totaj në kuadër të turneut nëpër komuna.
“Do të vijë së shpejti kur do të fillojë një turne nëpër komunat e Kosovës për shkak se në pranverë varianti Omicron i virusit COVID-19 është shumë i butë dhe do të na krijoj mundësi për takime fizike”, ka thënë ai.
Ndryshe kryeminsitri i vendit, Albin Kurti ka deklaruar se në kuadër të turneut nëpër komuna do të takohet edhe me kryetarët e vendbanimeve me shumicë serbe. Mirëpo ai nuk ka saktësuar kohën e këtyre takimeve. /Shqip.com