Lajme

Kurti priti në takim aktivistë të shoqërisë civile të Serbisë, flasin për dialogun Kosovë-Serbi dhe marrëdhëniet e shqiptarëve dhe serbëve në veri të vendit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur në një takim aktivistët e të drejtave të njeriut, gazetarë dhe përfaques të organizatave jo qeveritarë të Serbisë.

Në këtë takim, Kurti ka folur për të arriturat gjatë vitit të parë të qeverisjes e po ashtu ka shtuar se  stabiliteti institucional dhe qeverisja demokratike ka ndikuar në ngritjen për 17 vende të pozitës së Kosovës në indeksin e Transparency International për vitin 2021, po ashtu për 17 vende në indeksin e “World Press Freedom” për liri të shprehjes dhe të mediave.

Ky stabilitet ka sjellë edhe rritjen e indikatorëve ekonomikë, kur njerëzit e shohin menaxhimin e mirë dhe luftimin e korrupsionit nga qeveria ata ndjehen më të sigurt dhe janë më të vullnetshëm të shpenzojnë më shumë” ka thënë Kurti.

Në Kosovë është dëshmuar se qeverisja demokratike dhe zhvillimi ekonomik shkojnë krahas njëra-tjetrës, gjë që i demanton idetë se ekonomia mund të zhvillohet më shumë dhe më shpejtë me qasje autoritare nga pushteti.

Lidhur me dialogun me Serbinë, Kurti është shprehur se pas ndryshimeve demokratike të 14 shkurtit 2020, ka pësuar ndryshime edhe qasja në dialog.

Foto nga takimi

 “Dialogu nuk është i kornizuar në kohë dhe ka në qendër njohjen e ndërsjellë, e jo siç është zhvilluar në të kaluarën me kompromise të vazhdueshme nga Kosova, që bëheshin për të marrë njohjen nga Serbia dhe njohja nuk ndodhi. Nuk ndiqet më politika e transaksioneve sikurse në të kaluarën, por ajo e transformimit me vullnet të lirë” është shprehur Kurti

Duke folur për marrëdhëniet midis shqiptarëve e serbëve në Kosovë dhe qasjes së pushtetit qendror ndaj serbëve, Kurti tha se komuniteti serb gëzon të drejta dhe liri të garantuara. Ai tha se është në komunikim të vazhdueshëm me përfaqësuesit politikë të serbëve dhe se është i hapur të diskutojë për të gjitha problemet e komunitetit serb në Kosovë.

Në takim ishte i pranishëm edhe ambasadori i Norvegjisë në Kosovë, Erik Grondahl./Shqip.com