Lajme

Kurti premton investime për komunitetet pakicë

Kryeministri Albin Kurti, bashkë me ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, kanë vizituar sot segmentin e rrugës Plavë-Sharr, rrugën e asfaltuar në hyrje të Dragashit dhe kanë takuar po ashtu Kryetarin e Komunës, Bexhet Xheladini dhe zyrtarin komunal për komunitete dhe kthim, Uzair Hamza.

Në fjalën e tij, kryeministri i ka falënderuar qytetarët e Dragashit për bashkëjetesën atje, por edhe kryetarin, si dhe të gjitha partitë politike të cilët bashkëpunojnë dhe në këtë mënyrë mundësojnë jetën e mirë.

‘’Dragashi ka nevojë për më shumë investime dhe prandaj ne po përpiqemi që të bëjmë sa më shumë infrastrukturë. Do ta përfundojmë edhe rrugën e cila e lidh Restelicën me kufirin me Maqedoninë e Veriut, me komunat e Mavrovës dhe të Gostivarit atje’’, është shprehur Kryeministri Kurti.

Ai tha se sot paradite me ministrin, Nenad Rashiq, ishin bashkë në Ferizaj, për vendosjen e gurthemelit të shtëpisë së një familjeje gorane me prejardhje nga Dragashi e cila i ka 11 anëtarë, dhe tash po bëhet me shtëpi.

Ndërkaq, Ministri Aliu tha se sot bashkë me Kryeministrin Kurti, kolegë e bashkëpunëtorë, vizituan punimet në segmentin e rrugës Plavë-Sharr, rrugëve që tashmë kanë marrë një dinamikë të re të zhvillimit të punimeve.  Ai tregoi se kjo rrugë është e ndarë në dy Lote, Lot 1: Zhur – Dragash dhe Lot 2: Dragash – Brod, me vlerë të përgjithshme prej: 7,731,053.31 EUR.

Realizimi i punimeve deri më tani ka përfunduar rreth 70%, dhe pritet që të jetë plotësisht e hapur dhe e aksesueshme për të gjithë drejtuesit e automjeteve deri në vitin e ardhshëm.

Kryeministri gjatë vizitës në Komunën e Dragashit pati takim  edhe me Kryesuesin e Asamblesë komunale, Uran Halimi dhe përfaqësues të komunës.

Dragashi është komuna me përqindjen më të lartë të komuniteteve jo shumicë, rreth 41%.

Ndërkaq, Ministria për Komunitete dhe Kthim ka ndihmuar këtë komunë përmes thirrjeve të ndryshme për komunitetet, ku 3 milionë​ euro janë ndarë për fermerët dhe prodhuesit e vegjël, për OJQ-të që ndihmojnë në punësimin e komuniteteve dhe për vende pune në biznese të reja dhe ato ekzistuese.

Thirrje nga Zyra për Çështje të Komuniteteve pranë Zyrës së Kryeministrit për mediat me bazë në komunitet, për aktivitete kulturore për komunitetet, si dhe për aktivitetet e OJQ-ve që ndihmojnë në punësim. Gjithashtu këtë vit do të ndahen 5 bursa për programin e studimeve ballkanistike në Universitetin e Prishtinës për studentë nga komunitetet jo shumicë, etj.

/Shqip.com