Kurti për Vitinë: Si rrallë ndonjëherë ne kemi patur mes nesh një njeri të tillë
“Si rrallë ndonjëherë ne kemi patur mes nesh një njeri të tillë”.
Kështu ka thënë kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për Arben Vitinë – kandidatin e kësaj partie për ta udhëhequr Komunën e Prishtinës.
“Andaj, si subjekt politik, ne e kemi vlerësuar duke e zgjedhur për disa vite anëtar të Kryesisë dhe Këshillit të Përgjithshëm. Për të njëjtat vlera e kemi propozuar dhe caktuar për funksione të rëndësishme publike”, ka shkruar Kurti për Vitinë.
Kreu i ekzekutivit, ka përmendur edhe “sukseset” e Arben Vitisë si ministër i Shëndetësisë.
“Arritjet e ministrit Vitia përgjatë dy mandateve të Qeverisë, janë po aq befasuese sa janë edhe të pamohueshme”, thotë ndër tjerash Kurti.
Gara për Prishtinën.
Më shumë se 64 për qind të votave, Lëvizja Vetëvendosje i mori në Prishtinë në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit.
Por, tre kundërkandidatë të Vitisë e kanë nisur kampanjën zgjedhore muaj më parë.
Daut Haradinaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, pasi e fitoi mandatin e deputetit në shkurt, e dorëzoi atë. I hyri garës për kryeqytetin.
Më pastaj, Uran Ismaili i Partisë Demokratike të Kosovës, filloi me fushatën e tij “me bujt n’Prishtinë”, gjatë shtatorit njëjtë si Haradinaj – dorëzoi mandatin e deputetit.
Ndërsa, Lidhja Demokratike e Kosovës e solli dikë nga Londra që t’ia rikthejë Prishtinën LDK-së, tetë vite pasi e humbën.
Përparim Rama, arkitekt – ka muaj që ka startuar fushatën zgjedhore.
Ndërsa, Arben Vitia më 1 tetor u largua nga detyra e ministrit të Shëndetësisë.
Tash synon që pas 17 tetorit ta drejtojë qendrën kryesore në Kosovë.
Prishtina aktualisht qeveriset nga Shpend Ahmeti i cili më 2013 si kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje arriti t’ia thyente bastionin Lidhjes Demokratike të Kosovës. /Shqip.com