Ekonomi

Kurti në Prizren prezanton Buxhetin e vitit 2023

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar me disa nga ministrat e tij, të martën ka qëndruar në Prizren, me ç’rast kanë shpalosur Buxhetin për vitin 2023 para qytetarëve të kësaj Komune, raporton Ekonomia Online.

Nga aty, shefi i ekzekutivit tha se Buxheti për vitin e ardhshëm do të jetë më i larti ndonjëherë në Kosovë, teksa përmendi edhe rritjen shumave që kanë ndarë për dikastere të ndryshme. Para prizrenasve, Kurti tha se Buxheti i paraparë për këtë Komunë është 92.5 milionë euro.

“Buxheti për vitin 2023 do të jetë 3 miliardë e 211 milionë euro, ku të hyrat do të jenë mbi 2 miliardë. Ky buxhet do të jetë më i larti në historinë tonë. Për Prizrenin, buxheti do të jetë mbi 92.5 milionë euro”, ka thënë Kurti.

Tutje, ai tha se në këtë buxhet janë paraparë ndërtimi i disa çerdheve, objekteve shkollore dhe riparimi i rrugës Prizren-Prevallë.

“Për shpenzime kapitale kemi ndarë mbi 32 milionë euro. 296 milionë euro kemi ndarë për Shëndetësi, ku 60 milionë euro janë për blerjen e barnave esenciale. Rritjen e buxhetit në infrastrukturë e kemi shoqëruar me rritjen e stafit mjekësor ku kemi shtuar 400 pozita. Kemi vazhduar linjën buxhetore për ndërtimin e çerdheve. Janë ndarë mjete për ndërtimin e objekteve shkollore në Prizren. Në kohën kur çmimet po rriten për vitin 2023, rritja e buxhetit ka arritur 87 milionë euro për bujqësi. Kemi shtuar 300 pozita të reja për policinë. Gjashtë milionë euro kemi ndarë për riaprimin e rrugës Prizren-Prevallë”, tha mes tjerash kryeministri Kurti.

E ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se në buxhetin e vitit të ardhshëm është paraparë edhe Ligji i Pagave.

/Shqip.com