Lajme

Kurti në përvjetorin e masakrës së Srebrenicës: Kurrë më mos pastë Ballkani, pushtete me ambicie gjenocidale

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Me rastin e përvjetorit të 26-të të Masakrës në Srebrenicë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi se Qeveria e Kosovës ftohet të nderojë viktimat dhe kujtimin e kësaj date, njofton Shqip.com.

“Sot është 26 vjetori i gjenocidit në Srebrenicë, ushtruar nga forcat serbe e të Serbisë mbi viktimat boshnjake. Institucione të ndryshme ndërkombëtare, ndër të cilat edhe Parlamenti Evropian, e kanë shpallur 11 korrikun datë të përkujtimit të masakrës më mizore që ka njohur Evropa pas Luftës II Botërore”, thotë Kurti.

“Disa ditë më parë Kuvendi i Kosovës miratoi një rezolutë me të cilën dënohet gjenocidi në Srebrenicë dhe ftohet Qeveria e Kosovës të nderojë viktimat dhe kujtimin e kësaj date”, ka shkruar më tej ai në llogarinë e tij në Facebook.

Kurti po ashtu ka cekur edhe disa nga pikat të cilat janë pjesë e rezolutës së miratuar në Kuvendin e Kosovës gjatë javës që po lëmë pas.

“Në atë rezolutë pika nr. 5 shkruan se Kuvendi i Kosovës: ‘Fton të gjitha shtetet e rajonit, që të bëjnë përpjekje shtesë për t`i nxjerrë para drejtësisë të gjithë ata që janë përgjegjës për planifikimin dhe kryerjen e gjenocidit në Srebrenicë’”.

“Ndërsa pika nr. 6 vë në pah se kjo rezolutë:’Shfaq gatishmërinë e Republikës së Kosovës dhe u bën apel shteteve të rajonit për përmirësimin e marrëdhënieve të ndërsjella dhe të bashkëjetesës ndërmjet popujve, me qëllim të përmirësimit ekonomik dhe integrimit euro-atlantik të shteteve të Ballkanit Perëndimor’”.

“I përjetshëm qoftë kujtimi i viktimave të gjenocidit në Srebrenicë, kurrë më mos pastë Ballkani, e as bota, pushtete e shtete me ambicie gjenocidale”. /Shqip.com