Lajme

Kurti në 17-vjetorin e LVV-së: Kemi dëshmuar që mund të qeveriset mirë e të shënohet progres në Republikën tonë

Kryetari i LVV-së, Albin Kurti

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, me rastin e 17-vjetorit të themelimit të VV-së, ka thënë se partia të cilën e udhëheqë, ka dëshmuar qeverisje të mirë e shënim progresi në vend.

Kreu i qeverisë, në një konferencë për medie, tha se me angazhim e punë, kanë arritur, sipas tij, të bëjnë më të mirën për vendin.

“Ky 17-vjetor i Lëvizjes na gjen për herë të dytë në qeverisje, pra duke lëvizur gjërat përpara e në të mirë në republikën tonë. Ka qenë një vit me kriza të shumëfishta që prekën të gjithë njerëzimin e nuk na kursyen as neve, por me angazhim e punë, vendosmëri e guxim, dije e me plane kemi arritur të bëjmë më të mirën”, tha Kurti.

“Vetëvendosje ka dëshmuar që mund të qeveriset mirë e të shënohet progres në republikën tonë. Ka qenë një vit me kriza të shumëfishta por me angazhim e punë, me vendosmëri e guxim, me dije e me plane, kemi arritur të bëjmë më të mirën. Në një vit qeverisje, lëvizja jonë përveç se ka bërë prerje të qartë me të kaluarën, ka dëshmuar se ka qeverisje alternative, tjetër prej asaj që kemi parë të në të kaluarën”, tha Kurti.

Sipas tij, me qeverisjen e tyre kanë dyfishuar rritjen ekonomike, kanë bërë reforma në drejtësi si dhe kanë avancuar marrëdhëniet me shtetet mike.

Kryetari i VV-së Albin Kurti me anëtarë e deputetë të partisë

“Në qeverisjen tonë kemi menaxhuar suksesshëm me pandeminë, kemi dyfishuar rritjen ekonomike, kemi shtyrë reforma në drejtësi, kemi luftuar krimin dhe korrupsionin, kemi avancuar aleanca dhe partneritet me shtetet mike, kemi shërbyer e mbrojtur si asnjë qeveri e mëparshme, sot nëse kthehemi prapa dhe kujtojmë fjalët që kemi thënë se si duhet të jetë një qeverisje e mirë, apo si do ta bëjmë ne një qeverisje të mirë, mund të themi se qëndrojmë drejt, dhe në kuptimtin se shumëçka bëhet e mundshme nëse duam dhe jemi të përcaktuar të punojmë në atë drejtim.. Po përpiqemi t’i plotësojmë nevojat e qytetarëve”, ka vazhduar ai.

Po ashtu, Kurti foli edhe për zgjedhjet në Lëvizjen Vetëvendosje të cilat kanë filluar, derisa ai ka inkurajuar të gjithë anëtarët të marrin pjesë në to.

“Lëvizja jonë është duke kaluar në një proces tejet të rëndësishëm, atë të zgjedhjeve të brendshme, kemi thënë që viti 2022, për se brendshmi si organizatë, do të jetë vit që ia kushtojmë zgjedhjeve dhe këtë po e bëjmë, zgjedhjet kanë filluar tashmë dhe inkurajojmë të gjithë që të vazhdojnë të marrin pjesë në to dhe të japim më të mirën e tyre, kemi nevojë për çdo anëtar nga 60 mijë sa i ka lëvizja, të marrin pjesë”, ka thënë Kurti.

Ai tha se vëmendja e tyre në këto zgjedhje është e orientuar kah gratë, rinia e mërgata.

“Në këto zgjedhje për herë të parë do ta kemi organin për rininë, gratë dhe për mërgatë. Vëmendja jonë edhe në zgjedhjet e brendshme është e orientuar te ata”, ka shtuar ai.

Kurti përmendi edhe kohën kur protestohej me parullën, “Jo negociata, Vetëvendosje”.
“Më 12 qershor 2005 është themeluar VV, duke shkruar parullën ‘Jo negociata, Vetëvendosje’, pjesa e parë e parullës i ka 11 shkronja, VV 12, bëjnë 23 dhe pikëçuditja 24, 24 aktivistë, secili nga një shenjë e patëm shkruar me sprej”, tha ai.

Historiku i Lëvizjes Vetëvendosje

Lëvizja Vetëvendosje u themelua më 12 qershor 2005 , si pasardhëse e organizatës KAN (Rrjeti i Aksionit për Kosovën), në të cilën Albin Kurti kishte qenë aktivist.

Në ditën kur Kosova festonte çlirimin, (12 qershor 2005) një grup i të rinjve të udhëhequr nga Albin Kurti dolën rrugëve të Prishtinës përballë misionit të OKB-së që administronte Kosovën, UNMIK, vendosën sloganin “Jo Negociata, Vetëvendosje”.

Ky aksion shënon fillimin e një liste të gjatë aksionesh e protestash me të cilat do të shënohet historia e Vetëvendosjes.

Për të kundërshtuar planin e diplomatit finlandez, Marti Ahtisaari, Lëvizja Vetëvendosje në shkurt të vitit 2007 kishte organizuar një protestë masive, ku me ndërhyrjen e policisë speciale rumune, dy aktivistët Mon Balaj e Arben Xheladini, kishin mbetur të vdekur, ndërsa mbi 80 të tjerë ishin lënduar.

Në vitin 2010, Vetëvendosje hyri edhe zyrtarisht në politikë duke marrë pjesë në zgjedhjet e përgjithshme dhe duke fituar 12.4% të votave dhe 14 nga 120 vende në Kuvendin e Kosovës.

Në zgjedhjet e fundit që u mbajtën më 14 shkurt, Lëvizja Vetëvendosje fitoi mbi 50% të votave, duke u bërë partia me më së shumti deputetë në Kuvendin e Kosovës, gjithsej 58./Shqip.com