Lajme

Kurti mburret me progresin në qeverisje digjitale

Indeksi i Bankës Botërore të Maturitetit të Teknologjisë në Qeveri(GTMI) ka publikuar rezultatet, që tregojnë progresin e shteteve në fushën e digjitalizimit të qeverive dhe ofrimit të shërbimeve publike.

“Rezultatet që janë publikuar sot, tregojnë progresin që ka arritur Kosova në dy vitet e fundit në 48 indikatorët kyç të indeksit të cilat mbulojnë fushat si sistemet qeveritare, shtytësit kryesorë të digjitalizimit në qeveri dhe ofrimi i shërbimeve publike”.

Kështu ka thënë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti përmes reagimit në rrjetin Facebook.

Sipas Kurtit, Kosova në matjet paraprake ka qenë e kategorizuar në grupin C të vendeve me fokus të kufizuar në qeverisje digjitale. Kurse në rezultatet e reja, Kosova kategorizohet në grupin B të vendeve me fokus të konsiderueshëm në qeverisje digjitale.

“Përparimi në këtë fushë duhet të shërbejë si inkurajim shtesë për shumë punë që na presin në digjitalizimin e të gjithë sektorëve. Strategjia e re dhe plani i veprimit për qeverisje elektronike që janë duke u përgatitur, do të ofrojnë udhërrëfyesin për avancimin gjithëpërfshirës të digjitalizimit në qeveri”, ka theksuar Kurti.

Tutje, i pari i ekzekutivit ka thënë se digjitalizimi është një prej shtyllave kryesore të planit qeverisës.

“Jemi të angazhuar për të ngritur efikasitetin dhe transparencën e administratës publike, si dhe për të përmirësuar shërbimet për qytetarë dhe biznese”, ka shkruar Kurti.

/Shqip.com