Lajme

Kurti: Mbështesim faktin se Gjermania dhe Franca do ta ndihmojnë dialogun me Serbinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Kosova e mbështetë faktin se Gjermania dhe Franca do ta ndihmojnë ndërmjetësimin e Brukselit për një marrëveshje finale në mes Kosovës dhe Serbisë.

Pas ceremonisë së kremtimit të themelimit të 23 vjetorit të Policisë së  Kosovës, Kurti për media tha se Kosova e kupton rëndësinë e integrimit evropian në procesin e dialogut

“Kosova e kupton rëndësinë e integrimit evropian në zemër të secilit Ballkani Perëndimor në përgjithësi e neve posaçërisht, ndodhen Gjermania edhe Franca, andaj ne e mbështesim faktin që dy shtete kaq të rëndësishme evropiane dhe njohëse të Kosovës, vendit tonë, republikës tonë që nga fillimi, do ta ndihmojnë ndërmjetësimin e Brukselit për një marrëveshje ligjërisht të obligueshme që e ka në qendër njohjen reciproke”, tha Kurti.

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak së bashku me këshilltarin e kancelarit gjerman dhe presidentit francez do të vizitojnë Prishtinën dhe Beogradin me 9 shtator.

Për REL, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano ka thënë se qëllimi i vizitës është përparimi i dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë.

Stano ka treguar se takimet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçqiq janë planifikuar të bëhën ndaras.

Kurti, ka pranuar letër nga kancelari gjerman Olaf Scholz dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

Sipas njoftimit të Qeverisë së Kosovës, në letër thuhet se për Ballkanin Perëndimor normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i një rëndësie kruciale.

“Për Ballkanin Perëndimor normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i një rëndësie kruciale. Po u adresohemi juve si lider i shtetit tuaj, për t’u bërë thirrje për të treguar gatishmëri dhe zgjidhje maksimale për të marrë vendime të vështira, që shpijnë drejt progresit të dialogut të udhëhequr nga BE, në mes Kosovës dhe Serbisë”, shkruhet në letër.

Megjithatë, në letër thuhet se ata kanë ngarkuar me punë këshilltarët e tyre të politikës së jashtme dhe sigurisë, Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne, për të mbështetur direkt Miroslav Lajçak në përpjekjet e tij.

“Prandaj, ne kemi ngarkuar me punë këshilltarët tonë të politikës së jashtme dhe sigurisë, z.Jens Plötner dhe z.Emmanuel Bonne, për të mbështetur direkt Miroslav Lajčak në përpjekjet e tij”.

Në këtë letër, Schloz dhe Macron kanë propozuar që këshilltarët të bëjnë një vizitë të përbashkët me Lajçakun në Kosovë dhe Serbi, në mënyrë që të gjejnë opsionet, që procesi të lëvizë përpara dhe shpejt.

Tutje, thuhet se ata shpresojnë që kjo iniciativë të ketë përkrahjen e Kurtit.