Lajme

Kurti lëvdon planin franko-gjerman në takim me përfaqësuesit e QUINT-it

Foto nga takimi i Kurtit me perfaqesuesit e QUINT-it

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot gjatë ditës ka pritur në takim Përfaqësuesit e Përhershëm të shteteve të QUINT-it në OSBE dhe ambasadorin e Britanisë së Madhe, Nicholas Abbott.

Ai i njoftoi ambasadorët me zhvillimet e fundit në vend dhe për punën dhe të arriturat e qeverisë në fushën e sundimit të ligjit, për reformat e ndërmarra, progresin ekonomik e demokratik që janë evidentuar edhe në raportet ndërkombëtare përfshirë këtu edhe atë të Bashkimit Evropian.

“Kosova është histori e dyfishtë e suksesit. Me trendin pozitiv të rritjes ekonomike në dy vitet e fundit dhe përmirësimin për 20 pozita në Indeksin e Korrupsionit të Transparency International, për 17 pozita në indeksin e Reporterëve Pa Kufi për lirinë e shtypit dhe renditjen në vendin e parë për herë të dytë radhazi në Ballkanin Perëndimor për sa i përket sundimit të ligjit.

Sipas Projektit të Drejtësisë Botërore, Kosova po dëshmon se zhvillimi ekonomik dhe demokracia cilësore shkojnë krah për krah. Gjithashtu, ambasadorët u njoftuan edhe për politikat sociale, si ajo e arsimit publik falas, shtesave për lehona dhe fëmijë, dhe masat e punësimit në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit.

Në takim u diskutua edhe për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe për propozimin evropian, për të cilin Kryeministri Kurti tha se është i pranueshëm si bazë e mirë për diskutime të mëtutjeshme dhe platformë solide për të ecur përpara.

Kurse, ambasadorët vlerësuan ndryshimet pozitive në vend dhe përkushtimin e Qeverisë për reforma, duke e konfirmuar mbështetjen e vendeve të tyre ndaj Kosovës.

Ambasadorët e QUINT-it në OSBE janë Michael Carpenter, Përfaqësuesi i Përhershëm i ShBA-së, Christine Fages, Përfaqësuese e Përhershme e Francë, Gesa Braeutigam, Përfaqësuese e Përhershme e Gjermanisë, Stefano Baldi, Përfaqësuesi i Përhershëm i Italisë dhe Neil Bush, Përfaqësuesi i Përhershëm i Mbretërisë së Bashkuar.

/Shqip.com