Lajme

Kurti e uron Krasniqin për pozitën e re, pret reforma në PDK nga ai

Kryeministri Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar kryetarin e ri të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, duke thënë se mbështetja që e ka marrë sot i garanton udhëheqje për të zhvilluar reformat në PDK, transmeton Shqip.com

Me anë të një postimi në ‘Facebook’, Kurti ka thënë se në cilësinë e kryeministrit dhe të kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, i ofron bashkëpunim Krasniqit për tema me interes nacional.

“I uroj punë të mbarë kryetarit të ri të PDK-së, z. Memli Krasniqi. Mbështetjen që e mori sot nga strukturat e subjektit të tij i garantojnë një udhëheqje stabile për t’i zhvilluar reformat që mendon se janë të nevojshme për PDK-në”, ka shkruar ai.

“Si kryeministër i Kosovës dhe kryetar i Lëvizjes i ofroj bashkëpunim në temat me interes nacional dhe ballafaqim të ideve e qëndrimeve për të mirën e përbashkët të shtetit dhe qytetarëve. Të punosh për Kosovën e kombin tonë nuk është kurrë mjaftueshëm dhe e kemi obligim secili”, tha më tej Kurti.

Krasniqi është zgjedhur kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës në Konventën e 10-të të kësaj partie. Ai u zgjodh në krye të PDK-së me 469 vota pro dhe shtatë kundër. /Shqip.com