Lajme

Kurti dhe Sveçla do të mbajnë konferencë për media lidhur me zhvillimet e fundit në vend

Xhelal Sveçla dhe Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Xhelal Sveçla do të mbajnë konferencë për media.

Sipas një njoftimi nga Qeveria, konferenca do të mbahet në lidhje me zhvillimet e fundit në vend.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti i shoqëruar nga Ministri i Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sveçla do të mbajnë konferencë për media në lidhje me zhvillimet e fundit në vend”, thuhet në njoftim.

Konferenca do të mbahet sot në orën 13:00 në objektin qendrorë të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Kujtojmë se në veri të vendit barrikadat janë vënë më 31 korrik nga serbët lokalë të Kosovës, si shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të 29 qershorit të Qeverisë së Kosovës për targat e makinave që lëshojnë autoritetet e Serbisë me akronimet e qyteteve të Kosovës dhe dokumentet për hyrje/dalje për qytetarët serbë kur të hyjnë në njërën nga pikat kufitare në Kosovë.

Pamje nga veriu i vendit

Qeveria e Kosovës, me kërkesë të SHBA-së dhe BE-së ka shtyrë zbatimin e vendimeve – që ishin planifikuar të zbatoheshin nga 1 gushti – duke thënë se dënon ashpër bllokimin e rrugës në veri të Kosovës.

 Qeveria pati vendosur që më 1 gusht do të niste lëshimi i të ashtuquajturave dokumente për hyrje-dalje për të gjithë shtetasit e Serbisë që hyjnë në Kosovë.

Ky dokument do të lëshohej në të gjitha pikëkalimet tokësore dhe ato ajrore, si dhe do të ishte i vlefshëm për 90 ditë, ashtu sikurse dokumenti që autoritetet serbe lëshojnë për shtetasit e Kosovës kur të hyjnë në Serbi.

Po ashtu të hënën pritej të hynte në fuqi edhe vendimi për riregjistrimin e makinave me targa me akronime të qyteteve të Kosovës që lëshohen nga Serbia. Vlerësohet se 10.000 makina me targa si KM (Mitrovica e Kosovës), PZ (Prizren) UR (Ferizaj) e të ngjashme, qarkullojnë në komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

Sipas vendimit të marrë më 29 qershor nga Qeveria e Kosovës, afati për riregjistrimin e makinave do të zgjaste deri më 30 shtator./Shqip.com