Kurti-Borrellit: Reciprociteti do të jetë parimi mbi të cilin do të bazohen veprimet e Kosovës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në takim me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, u shpreh se reciprociteti do të jetë parimi mbi të cilin do të bazohen veprimet e shtetit të Kosovës, përcjell Shqip.com.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, Kurti e ka informuar Borrellin edhe për pengesat jo-tarifore që Serbia po u bën prodhuesve kosovarë, siç ka ndodhur me kamionin e fundit që u bllokua pasi po kalonte nëpër Serbi me mallra për eksport në Gjermani.
“Kryeministri Kurti në anën tjetër u shpreh se reciprociteti do të jetë parimi mbi të cilin do të bazohen veprimet e shtetit të Kosovës. Po ashtu e njoftoi sërish Borrellin për pengesat jo-tarifore që Serbia u bënë prodhuesve tanë, siç ishte rasti më i fundit me kamionin që u bllokua, ndonëse po kalonte vetëm tranzit nëpër territorin e Serbisë”, thuhet në njoftim.
Tutje, në këtë takim Borrell është deklaruar se ka mirëpritur arritjen e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për targat e automjeteve.
Ndryshe, të mërkurën është mbajtur Samiti BE-Ballkan Perëndimor, ku kanë marrë pjesë liderët e BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor.
Gjatë këtij samiti, kryeministri i Kosovës është takuar edhe me kancelaren gjermane, Angela Merkel dhe presidentin francez, Emmanuel Macron dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, ku kanë folur për Procesin e Berlinit.
Përmes një postimi në Twitter, ai theksoi se kanë diskutuar edhe për lëvizjen e lirë dhe njohjen e diplomave./SHQIP.com