Lajme

Kurti: Borrell ndryshoi premisën e negocimit, qëllimi i madh u hoq nga agjenda

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur lidhur me takimin e fundit në Bruksel në mes tij dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq me ndërmjetësues përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian Josep Borrellin.

Në mbledhjen e Qeverisë, Kurti tha se Borrell ndryshoi premisën e negocimit dhe qëllimi i madh u hoq nga agjenda.

“Pas takimit që patëm atje, i cili gjithsej zgjati tetë orë, Borrell fatkeqësisht e ndryshoi premisën e negocimit. Në kundërshtim me parimin e propozuar nga vetë ai, filloi të insistoi në një marrëveshje që adreson vetëm masat e mirëbesimit, pezullimin e gjobave për targat. Qëllimi i madh u hoq nga agjenda, nevoja urgjente e propozimit evropian me mbështetjen franko—gjermane u zhduk nga tavolina a duke ju përshtatur qëllimit të Serbisë, presidenti i së cilës kishte ardhur në Bruksel jo për propozimin e BE-së, por për targat”, tha Kurti.

Sipas Kurtit, kushti ishte që Qeveria e Kosovës të pezullonte vendimin për targa dhe jo Serbia të ndalonte regjistrimin e automjeteve me targa të cilat cilësohen ilegale në Kosovë.

“Dhe gjatë 8 orëve patëm tri takime bilaterale dhe tri trilaterale. Parakushti për targat kishte të bënte vetëm me pezullimin e veprimeve të Qeverisë së Kosovës dhe jo me ndalimin e lëshimit të targave nga ana e Serbisë. Ne, ishim të pajtimit që për t’i dhënë hapësirë bisedimeve për propozimin e Bashkimit Evropian të pezullonim fazën e dytë të vendimit për targat, mirëpo natyrisht atëherë kur Serbia ndalon së regjistruari makina me targa ilegale sepse nuk ka kuptim të mosvazhdohet faza e dytë. Ky propozim u pranua dhe besojë që ishte një e arritur e takimit”.

I pari i ekzekutivit thotë se liderët shtetëror duhet të ftohen për marrëveshje finale dhe jo për çështje teknike të cilat dalin përgjatë procesit të dialogut.

“Liderët shtetëror thirrën për të bërë marrëveshjen e madhe e finale, unë nuk jam as polic, as komandant stacioni, as shef kadastri, as zyrtar dogane që të merrem me gjithfarë çështjesh teknike të cilat dalin përgjatë bisedimeve. Ne, jemi shtet, institucione dhe organe përkatëse të cilat kanë shumë profesionistë të zotë që i zhvillojnë këso lloj bisedimesh. Unë shkoj atje për marrëveshje finale ndërkombëtarisht e ligjërisht të obligueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me njohjen reciproke në qendër”.

Krahas kësaj, Kurti foli edhe për ftesën që iu ishte dërguar nga Josep Borrell

“Ftesa e Borrellit ishte e shoqëruar me një tekst me katër paragrafë që mëtonte të lëshohej si deklaratë në fund. në paragrafin e parë bëhej ftesë për përqendrim me urgjencë në propozimin e Bashkimit Evropian të përkrahur nga Gjermania e Franca për normalizim të marrëdhënieve. Në paragrafin e tretë, teksti bënte thirrje që të fillonin menjëherë bisedimet për propozimet e Bashkimit Evropian në nivel të lartë për të arritur një marrëveshje para marsit të vitit 2023”.

Ndërsa, sipas Kurtit, paragrafi i dytë fliste për targat.

“Në paragrafin e dytë ishte çështja e targave se bashku me çështjen e garacioneve për komunitetin serb të cilët do të diskutoheshin në propozimin e BE-së, pra në marrëveshjen për normalizim.

Megjithatë, për takimin e 18 gushtit, Kurti thotë se vetëm ai ka qenë personi që ka bërë përpjekjet e fundit për normalizimin e marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ndërkaq autorët e propozimit të Bashkimi Evropian e braktisën propozimin e tyre prandaj edhe takimi përfundoi . Sikurse, në takimin e 18 gushtit, unë isha i fundit që lëshova ndërtesën e Bashkimit Evropian sepse gjithmonë ekziston mundësia për një përpjekje të fundit. Me duhet të ju njoftoj se ka qenë edhe përpjekja e fundit. Lajcak ka ardhur tek dhoma ku ndodhej delegacioni ynë dhe bëri një përpjekje të fundit për një tekst i cili do ta përfshinte edhe propozimin e Bashkimit Evropian, mirëpo pastaj na informoi se presidenti i Serbisë nuk e ka pranuar këtë ndërkaq, përfaqësuesi i lartë i BE-së tashmë ndodhej në konferencë për media”.

Krahas kësaj, Kurti tha se vendim për targat nuk mund të jetë objekt i negocimit sepse është vendim i Qeverisë.

/Shqip.com