Lajme

Kurti: Beogradi dhe Kremlini duhet të mendojnë dy herë para se të veprojnë në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

“Kosova nuk do të lejojë një lloj të Republikës Serbe në Kosovë” – kështu ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti derisa ishte duke folur për gjendjen e sigurisë në Ballkan dhe raportet e brishta me Serbinë.

Në një intervistë për CNN, Kurti u shpreh se nuk do të lejohet themelimi i një Republike Serbe në Kosovë, sikurse në Bosnjë e Hercegovinë.

“Kosova nuk do të lejojë një lloj të Republikës Serbe në Kosovë. Nuk kam vullnet të përfshihem në një marrëveshje për të kompensuar humbjet e Serbisë në regjimin e Millosheviqit, por po për përmirësimin e jetës së serbëve të Kosovës. Shpresoj që Brukseli do ta vlerësojë këtë dhe ne do ta arrijmë një marrëveshje të njohur legalisht, të qendërzuar në njohje reciproke”, tha ai.

Derisa ishte duke folur për sigurinë në Ballkan, Kurti tha se “Beogradi dhe Kremlini duhet të mendojnë dy herë para se të veprojnë në Kosovë”.

E sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, kryeministri Kurti thotë se duke llogaritur në mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Evropian, mund të arrihet një marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve mes dy shteteve.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq në Bruksel, 18 gusht 2022

“Shpresoj që Brukseli ta vlerësojë e përfundimisht në javët e muajt e ardhshëm t’i afrohemi marrëveshjes me qendër njohjen e ndërsjellë. Pavarësia e Kosovës po ashtu po konfirmohet nga shumica e shteteve në botë që na njohin, por edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Debati për ligjshmërinë e pavarësisë sonë ka mbaruar.

Ajo që duhet rregulluar është marrëdhënia abnormale mes Kosovës e Serbisë. Serbia nuk është demokraci, ku njerëzit që nuk kanë marrë pjesë në mizoritë e 90-tave të mund ta udhëheqin. Por jam optimist se me ndihmën e SHBA-së dhe BE-së mund të arrijmë një marrëveshje, pasi shumica e qytetarëve të Serbisë nuk shqetësohen për pavarësinë e Kosovës apo situatën në Kosovë”, tha Kurti.

Shefi i ekzekutivit foli edhe për vizitën në Kosovë të kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq.

Ai tha se vizitën ia lejoi Bërnabiq për t’ia dëshmuar se Kosova është shtet normal.

“Unë e kam lejuar kryeministren serbe Ana Bërnabiq që ta vizitojë veriun e Kosovës dhe unë shpresoj se ata e shohin se Kosova është një vend normal dhe më demokratik sesa vetë Serbia”.

Ai foli edhe për praninë e NATO-s në Kosovë duke shtuar se anipse Kosova nuk është pjesë e NATO-s, trupat e saj janë të pranishme në Kosovë./Shqip.com