Lajme

Ku shkuan materialet në vlerë mijëra eurosh që KQZ i bleu për zgjedhjet në veri?

Ilustrim

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u bë gati për të organizuar procesin zgjedhor në komunat e veriut të vendit.

Për këtë hapi një numër tenderësh për t’u furnizuar me materiale të ndryshme dhe ndau nga buxheti mijëra euro.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunave: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan ishin planifikuar të mbaheshin më 18 dhjetor 2022 dhe zgjedhjet e parakohshme për kuvendet e komunave: Zveçan dhe Leposaviq më 25 dhjetor 2022.

Vlera totale e disa tenderëve të dhënë, ka arritur në rreth 30 mijë euro.

Në tenderin për shtypjen, paketimin dhe transportin e fletëvotimeve, KQZ-ja kishte ndarë nga buxheti i saj, 11,721.50€, kurse oferta fituese u përzgjodh ajo me çmimin prej 11,475 eurosh.

Bazuar në numrin e votuesve, kompania fituese duhej të shtypte rreth 45 mijë fletëvotime për kryetar të komunave dhe 20 mijë fletëvotime për kuvende komunale, si dhe rreth 250 broshura.

KQZ kishte njoftuar se për zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunat: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan do të jenë rreth 75 vendvotime, ndërsa secili vendvotim i rregullt do të kishte maksimalisht 950 fletëvotime.

“Numri i përafërt i fletëvotimeve për kryetar të komunave që do të shtypen është 45,000 për raundi e parë dhe maksimumi 45,000 nëse zgjedhjet mbahen në katër komunat edhe në raundin e dytë. Në qoftë se nuk ka raund të dytë të zgjedhjeve, KQZ nuk bart asnjë obligim të pagesës për sasinë e parashikuar. Ndërkaq numri i përafërt i fletëvotimeve për kuvende të komunave që do të shtypen është 20,000 fletëvotime”, thuhej në sqarimin e KQZ-së për kompanitë që donin të merrnin pjesë në këtë tender, raporton Shqip.com.

Ndërkaq në tenderin për shtypjen e 67,561 formularëve zgjedhor, zarfeve, shenjave të ndryshme paralajmëruese, thasëve, librave të votimit, stikersave, etj, janë dhënë 6,165.85 euro.

Për shtypjen e 200 Listave Përfundimtare të Votuesve dhe 77 Listave Komunale të Votuesve, KQZ-ja i dha kompanisë që fitoi tenderin 2,370 euro.

Në tenderin për furnizimin me material administrativ për pakot e vendvotimeve, KQZ kishte parashikuar buxhet në vlerë të 4.900 eurove, ndërsa fituesi u zgjodh me çmimin prej 2110.95 euro. Në këtë tender ishte paraparë furnizimi me një varg elementesh administrative.

Disa mijëra euro u dhanë edhe për riparime e mirëmbajtje të Qendrës së Numërimit të Rezultateve, pastaj për furnizimin me llamba ultra vjollcë, furnizime me vula e pjesë përcjellëse apo edhe për sigurimin e autobusëve e minibusëve për transportimin e stafit në relacionin KQZ-QNR dhe Graqanicë-QNR.

Shqip.com ka pyetur disa herë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve se çka ka ndodhur me materialet e blera përmes tenderëve, mirëpo nga ky institucion nuk është dhënë asnjë sqarim.

Lexo edhe:
Zgjedhjet në veri shtyhen për në prill të vitit 2023

Me vendim të Presidentes së vendit, Vjosa Osmani, zgjedhjet e jashtëzakonshme për u shtynë për datën 23 prill të këtij viti.

/Shqip.com