Lajme

Kryetari Glauk Konjufca priti në takim presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviq 

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, i shoqëruar nga këshilltarët, ka pritur sot në takim Presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviq me bashkëpunëtorë, i cili po qëndron për një vizitë zyrtare në shtetin tonë. 

Sipas njoftimit në këtë takim është diskutuar për aktualitetin politik, zhvillimet në rajon, agresionin rus në Ukrainë, si dhe për thellimin e bashkëpunimit ndërshtetëror dhe shtimin e intensitetit të aktiviteteve ndërparparlamentare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi. 

Po ashtu sipas njoftimit është bërë e ditur se Konjufca shprehu mirënjohje për mbështetjen e presidentit Gjukanoviq dhe Malit të Zi ndaj Kosovës, derisa theksoi se forcimi i mëtejmë i raporteve të ndërsjella fqinjësore është një kontribut shtesë për stabilitetin në Ballkan dhe perspektivën e përbashkët euroatlantike. 

Gjukanoviq e falënderoi Kryetarin e Kuvendit për pritjen dhe konfirmoi mbështetjen e Malit të Zi për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe organizatat tjera ndërkombëtare. 

Ai po ashtu shprehu domosdoshmërinë e integrimit të të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian./Shqip.com