Lajme

Kurti shkon në Francë vetë i shtati, pritet takim me Macron e Vuçiq

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme do të udhëtojë për Paris për të marrë pjesë në Forumin e Paqes.

Po ashtu kryeministri i Kosovës, ka njoftuar se në këtë forum pritet të ndodh një takim takim trilateral me Presidentin e Serbisë dhe Francës.

“Nesër, pra të enjten, herët në mëngjes do të nisem për Paris për të marrë pjesë në Forumin e Paqes, bashkë me gruan time Ritën, e me ftesë të Presidentit Francez Emmanuel Macron. Përveç punimeve dhe darkës përgjatë këtij forumi prestigjioz, ndoshta mund të ketë edhe një takim trilateral me Presidentin e Serbisë i cili po ashtu është ftuar atje. Unë me vete do të kem ekipin tim gjashtëanëtarësh nga kryeministria” ka thënë fillmisht Kurti.

Më tutje Kurti është shprehur se ai është i gatshëm për arritjen e marrëveshjes me Serbinë ku në qendër do te jetë njohja reciproke.

“Jam i gatshëm sepse i përgatitur, dhe gjithnjë i interesuar, për dialog për marrëveshje, për normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke në qendër. I kemi dy propozime në tavolinë: ai imi për kornizën e përgjithshme të marrëveshjes i prezantuar në takimin e 18 gushtit 2022 në Bruksel, si dhe propozimi franko-gjerman që ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, i prezantuar nga emisarët Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne” ka shkruar Kurti.

Dialogu parimor me të tjerët, sundimi i ligjit njësoj për të gjithë, dhe, paqja e siguria në tërë territorin, shkojnë bashkë ka shtuar në fund Kurti.

Në këtë forum pritet të marr pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Në anën tjetër presidenti Vuçiq nuk e ka konfirmuar ende takimin e mundshëm me Kurtin.

/Shqip.com