Lajme

Kryeministri i Kosovë, Kurti vizitë në Austri, merr pjesë në Forumin Ekonomik të Vjenës

Në Austri do të fillojnë sot punimet e Forumit Ekonomik të Vjenës. Programi i Forumit të 21-të Ekonomik të Vjenës të këtij viti i kushtohet temës “Ekonomia rajonale si pjesë e ekonomisë evropiane dhe globale”.

Në këtë forum Kosova do të përfaqësohet nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Ai do të marrë pjesë në panelin ku do të flitet për temën “Bashkëpunimi ekonomik është më i rëndësishëm se kurrë”.

Ky forum ofron një platformë për liderë politikë, ekspertë dhe përfaqësues të sektorit privat për të diskutuar sfidat dhe mundësitë në fushën e ekonomisë.

Kurti, qëndrimin në Vjenë e nisi me një takim dhe bashkëbisedim me bashkatdhetarët dhe miq të Kosovës nën organizimin e Ambasadës së Kosovës në Austri.

Shefi i qeverisë shoqërohej edhe nga zv/kryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schëarz.

“Austria është një vend partner, aleate e mike e Republikës sonë e cila ka kontribuar edhe historikisht edhe aktualisht, edhe sa i përket mbrojtjes e sigurisë sonë, por edhe sa i përket ekonomisë e kulturës, për çka shteti dhe populli i Kosovës janë gjithmonë mirënjohës. Me këtë rast, ai i shprehu mirënjohje edhe mysafirëve nga Austria dhe pjesëtarëve të grupit të miqësisë Kosovë-Austri që ishin të pranishëm mbrëmë në këtë organizim, dukë dëshmuar kështu raportet e mira dhe miqësinë që vazhdon”, thuhet në komunikatën e Kryeministrisë mbi takimin e Kurtit në Austri.

Shefi i qeverisë tha se lidhjet mes dy vendeve janë historike e kulturore dhe se është i lumtur që përveç mbështetjes politike me Austrinë edhe lidhjet ekonomike edhe tregtare janë duke u rritur.

/Shqip.com