Ekonomi

Kryeministri flet me deputetin britanik për ekonomi dhe investime

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka takuar deputetin e Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar nga radhët e Partisë Konservatore, njëherësh i dërguari për Tregti i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Martin Vickers.

Në këtë takim u diskutua për bashkëpunimin e deritanishëm dhe të mëtejmë të tij në fushën e ekonomisë, shkëmbimeve tregtare, energjisë, mbrojtjes dhe kulturës, ndërsa vëmendje e veçantë iu dha sektorit të energjisë dhe investimeve të huaja.

Kryeministri Kurti e njoftoi deputetin Vicerks për veprimet e Qeverisë dhe planet për sektorin e energjisë, me fokus burimet e energjisë së ripërtëritshme dhe efiçiencës energjetike.

Ai gjithashtu foli për potencialin që Kosova ka për investitorë të huaj dhe se diaspora jonë mund të shërbejë si urë lidhëse për investitorë britanikë.

Duke marrë parasysh ekspertizën e Mbretërisë së Bashkuar në energji të ripërtëritshme, deputeti Vicker u shpreh se do të inkurajojë kompanitë britanike që të hulumtojnë mundësitë në Kosovë, ndërsa vlerësoi pozitive faktin që nga tash e tutje agjencia qeveritare, UK Exports Finance është e disponueshme edhe për Kosovën, që sipas z. Vicker, do të tërheqë edhe më shumë kompani nga Mbretëria e Bashkuar në Kosovë.

/Shqip.com