Lajme

Kryediplomatja e Beligjikës: Mirëpresim përparimin në dialogun Kosovë-Serbi

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, është takuar me homologen e saj nga Belgjika, Hadja Lahbib.

Kjo është bërë e ditur nga vetë Lahbib përmes një postimi në Twitter ku tha se Belgjika pret përparim drejtë normalizimit të marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë.

“Bisedë shumë e mirë me homologen time nga Kosova për bashkëpunimin tonë dhe perspektivën evropian të këtij vendi. Belgjika mirëpret përparimin drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe bën thirrje për dialog të mëtejshëm”, shkroi Lahbib.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka bërë të ditur se javën e ardhshme do të zhvillohet një takim në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, në nivel të kryenegociatorëve.

Kryenegociatori i Kosovës për këto takime është zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, ndërsa i Serbisë është udhëheqësi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

Në këtë takim është thënë se fokusi do të jetë në zbatimin e Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve – për të cilën Kosova dhe Serbia kanë arritur pajtueshmëri më 27 shkurt – si dhe në aneksin e zbatimit, për të cilin palët janë dakorduar më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

/Shqip.com