Kryediplomati turk ka një porosi për Kosovën dhe Serbinë
Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Hakan Fidan i ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që t’i zgjidhin problemet përmes dialogut.
“Me përmirësimin e kushteve të sigurisë do të hapet një hapësirë më e gjerë për dialog dhe diplomaci. Në këtë kontekst ne besojmë se problemet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të zgjidhen vetëm me dialog”, tha Fidan pas takimit me ministren, Donika Gërvalla.
“Kosovarët nuk janë vetëm miqtë tanë, janë edhe vëllezërit e motrat tona. Ne duam që lidhjet e palëkundura mes nesh, të zhvillohen në mënyrën më të mirë të mundshme”, shtoi Fidan.
Ai përmendi se Turqia ka mbështetur dhe mbështet Kosovën në arritjen e saj të merituar në arenën ndërkombëtare.
“Folëm dhe për zhvillimet e fundit në Ballkan dhe se çfarë mund të bëhet për arritjen e stabilitetit në rajon. Ne si Turqi mbështesim Republikën e Pavarur të Kosovës dhe vlerësojmë se ajo të qëndrojë në këmbët e saja. Ne kemi mbështetur Kosovën që nga fillimi për ta arritur pozitën e saj të merituar në arenën ndërkombëtare, dhe mbështetja jonë do të vazhdojë. Forcat e NATO-s dhe KFOR-it kanë rol të rëndësishëm në Kosovë në vendosjen e sigurisë. Është krenari që shohim komandantin tonë që vazhdon të ketë suksese këtu në Kosovë”, tha Fidan.
/Shqip.com