Kulturë

Kreshnik Xhiku, një artist përherë në kërkim të së resë

Zhvillimet e artit bashkëkohor kanë shtruar një sërë sfidash ndaj krijuesve kudo në botë, duke mos përjashtuar as artistët tanë.

Natyrisht që të kesh një përgjigje ndaj kërkesave dhe sfidave që parashtrohen ndaj artistëve kërkon një përgatitje të lartë artistike, intelektuale, njohje të thellë të marrëdhënies së volumeve në hapësirë, të trajtimit plastik dhe atij kompozicional.

Kreshnik Xhiku i përket një gjenerate artistësh, të cilët u formuan në fillimvitet ‘80-të, duke marrë më të mirën që formimi akademik i ofronte nga elita e krijuesve të asaj kohe, që përcillnin influencat artistike të shkollave ku kishin studiuar në Evropë.

Për talentin që ai shpalosi në Akademinë e Arteve mbahet si asistent pedagog në Fakultetin e Arteve të Bukura, privilegj që u rezervohej talenteve më të spikatur.

Kreshnik Xhiku u bë pjesë e ekspozitave të para në vitet ‘80, duke u parë si një nga artistët që do zëvendësonte brezin e parë të krijuesve në mediumin e skulpturës.

Merr pjesë në ekspozitat e “Nëntorit” dhe “Pranverës”, ku spikat me format e plota që dilnin jashtë kornizave akademike dhe duke u fokusuar në siluetin, të cilin e shihte si domosdoshmëri ekzistenciale në marrëdhënien e volumeve në hapësirë.

Shpejt ai arrin të dalë në skulpturën e eksterierit, për të cilën ai krijon fizionominë e tij artistike.

Pas viteve ’90, Kreshnik Xhiku bëhet një nga artistët vizualë më aktivë, duke fituar tre çmime në konkursin e arteve pamore “Onufri” dhe bëhet pjesëmarrës dy herë në Bienalen e Ankarasë.

Në planin akademik, ai kthehet në një pikë referimi për studentët e Akademisë së Arteve, ku merr dhe detyrën e Dekanit të Fakultetit të Arteve të Bukura.

/Shqip.com