Lajme

Krerët e shtetit nderojnë ish-presidentin Rugova

Me rastin e 17 vjetorit të vdekjes së ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, për nder të kujtimit dhe trashëgimisë së tij, nën përkujdesjen e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, sot u organizua ceremonia e vendosjes së kurorave.

“Ashtu siç diti presidenti Rugova të ndërtojë miq e aleatë që e mbështetën Kosovën në ditët më të errëta e të rënda ashtu do i ruajmë këto aleanca në rrugën tonë përpara përderisa Kosova vazhdon të përballet me sfida. I përjetshëm është kujtimi për të, trashëgimia e tij do të rrojë përherë edhe në brezat e ardhshëm”, tha presidentja Osmani.

Në homazhe mori pjesë edhe kryeministri i vendit Albin Kurti. 

Kurti ka thënë pas homazheve se Rugova kujtohet për sjelljen e tij paqësore dhe humaniste, e po ashtu për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës dhe kombëtarizimin e rezistencës.

“Bashkë me presidenten Vjosa Osmani-Sadriu vendosëm lule të freskëta dhe bëmë homazhe te varri i presidentit Ibrahim Rugova, presidentit të parë të Republikës së parë të Kosovës dhe presidentit të parë të Kosovës së çliruar. 21 janari është ditë e ftohtë dhe është një ditë në të cilën teksa e përkujtojmë presidentin Rugova, e kujtojmë atë për qëndrimin intelektual, për sjelljen paqësore, për qasjen humaniste, për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës dhe për kombëtarizimin e rezistencës”, është shprehur Kurti pas homazheve.

Të pranishëm ishin edhe liderë institucionalë dhe ambasadorë të akredituar në Kosovë, ndër ta edhe ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier.

Ish-presidenti Ibahim Rugova ka ndërruar jetë më 21 janar të vitit 2006.

/Shqip.com